GLPS dhe OJQ Gjethi kanë paraqitur Padi për Konflikt Administrativ për të kontestuar Lejen Ujore dhe Lejen Mjedisore për Hidrocentralin Lepenci 3 në Kaçanik

Prishtinë | 30 Dhj 2021 | 16:01 | Nga Ekonomia Online

Organizatat paditëse GLPS dhe OJQ Gjethi kanë paraqitur Padi për Konflikt Administrativ për të kontestuar Lejen Ujore dhe Lejen Mjedisore për Hidrocentralin Lepenci 3 në Kaçanik të lëshuara nga Ministria Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Ky rast është vazhdimësi e rasteve strategjike të cilat Qendra i dërgon në Gjykatë, e që kanë të bëjnë me cenimin e të drejtës së qytetarëve për ambient të pastër dhe të shëndetshëm. Qendra i ngrit në gjykatë rastet e shkeljeve të institucioneve publike, të cilat dëmtojnë shumë qytetarë dhe nëpërmjet padive dhe mjeteve tjera juridike synon t’i rregullojë këto shkelje, si dhe në të njëjtën kohë, synon të ngrisë vetëdijen qytetare për probleme të caktuara në sistemin tonë. I tillë është edhe rasti i ndërtimit të Hidrocentralit Lepenci 3 në Kaçanik.

HC Lepenci 3 është një nga dy hidrocentralet të ndërtuara nga kompania “Hidroenergji” Sh.p.k. në Komunën e Kaçanikut, si dhe një nga disa hidrocentralet që planifikohen të ndërtohen në këtë komunë. Procedura e cila u ka paraprirë lëshimit të lejeve dhe licencave për Hidrocentralin Lepenci 3 ka qenë jotransparente dhe ka përjashtuar tërësisht publikun nga vendimmarrja.

GLPS dhe Gjethi konsiderojnë se procesi që i ka paraprirë lëshimit të Lejes Ujore dhe Lejes Mjedisore për HC Lepenci 3, ka pasur shkelje ligjore si në vijim: (i) mos-zbatimi i Procedurës së Koncesionit (ii) mungesa e debatit publik apo mungesës së njoftimit adekuat të publikut për të, (iii) degradimi i natyrës e cila rrethon lumenjtë dhe përtej saj, si dhe (iv) mohimi i të drejtës së banorëve të Kaçanikut për ujë të pijshëm dhe të ujitjes, (iii).

Organizatat paditëse synojnë të anulojnë të gjitha lejet ujore/mjedisore dhe vendimet tjera të lëshuara në këtë proces si dhe të shtyjnë ekzekutimin e të gjitha këtyre derisa gjykata të marrë një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e tërë procesit.

Të ngjashme