“Activate Talks” promovon Inovacionin Social Rinor

Prishtinë | 11 Jan 2017 | 07:00 | Nga

UNICEF Innovations Lab Kosovo do të organizojë sot ngjarjen “Activate Talks”, për të promovuar teknologjitë inovative dhe iniciativat e zhvilluara nga Laboratori dhe për të theksuar punën e inovatorëve të rinj socialë të përfshirë në programin e Laboratorit.

Në ngjarjen që mbahet nga ora 17:00 në Fakultetin e Edukimit të UP-së, marrin pjesë më shumë se 150 të rinj nga e tërë Kosova dhe donatorët kryesorë nga Belgjika, Turqia, Gjermania e Holanda, si dhe zyrtarë të lartë të UNICEF-it nga Gjeneva dhe New Yorku.

“Ngjarja do të shënojë përvjetorin e gjashtë të pranisë së UNICEF Innovations Lab në Kosovë dhe do të shënojë një bashkëpunim të frytshëm me partnerët tanë të ngushtë”, thuhet në një komunikatë shtypi të Zyrës së UNICEF-it në Kosovë.

Në nivel global, “Activate Talks” bashkon rininë, inovator ekspertë dhe udhëheqës mendimtarë për të shfaqur zgjidhjet e fundit dhe për të rimenduar dhe ripunuar se si mund të sjellim rezultate për fëmijët më të margjinalizuar. Folësit kryesor në ngjarjen “Activate Talks” të vitit 2017 në Prishtinë do të përfshijnë menaxhmentin e lartë të institucionit global financiar ING Bank. Mysafirët do të kenë mundësinë të takohen dhe diskutojnë me udhëheqës të rinj dhe të zbulojnë vizionin dhe punën e tyre brenda komuniteteve të tyre.

Sipas statistikave, populli kosovar është një nga më të rinjtë në Evropë me afërsisht 53% nën moshën 25 vjet dhe 19% ndërmjet 15 dhe 24 vjet. Por, 29% të të rinjve të moshës 15 deri 24 nuk janë të punësuar apo në shkollë. Gjithashtu, 64% të rinisë në Kosovë ndjehen se kanë “pak” ose “aspak” përfaqësim në vendim-marrje lidhur me çështjet që janë të rëndësishme për ata apo që drejtpërdrejt ndikojnë në jetën e tyre. Në mesin e të rinjve mbizotëron një ndjenjë e fuqishme e paaftësisë dhe parëndësisë e në veçanti tek të rinjtë që janë pjesë e grupeve të margjinalizuara duke përfshirë të rinjtë me aftësi të kufizuara dhe ata nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas.

Për të trajtuar këto shifra shqetësuese, Innovations Lab, që është një njësi e UNICEF-it në Kosovë, kërkon të fuqizojë adoleshentët dhe rininë për të avancuar shfrytëzimin e teknologjisë dhe për të hulumtuar se si të arrihet ndikimi përmes komunikimit me një gjeneratë të re të bartësve të drejtave.

Innovations Lab ka vendosur veten si një institucion kryesor në katalizimin e ndryshime pozitive sociale në Kosovë. Duke përdorur metodat më të reja jotradicionale edukative dhe dizajnin me fokus njeriun, Laboratori u mëson të rinjve aftësi profesionale, aftësi sipërmarrëse, njohuri të avokimit, leximin kritik të medias, dhe aftësi teknologjike të shekullit 21.

UNICEF Innovations Lab në Kosovë thotë se do të vazhdojë të krijojë hapësira të reja dhe mënyra inovative për realizimin e drejtave të fëmijëve përmes mjeteve dhe qasjeve të shekullit 21.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme