Adnan Merovci vjen me librin “Kështjella e (Mos)marrëveshjes”, flet për konferencën e Ramubujesë

Prishtinë | 18 Mar 2019 | 12:53 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Është promovuar libri i autorit Adnan Merovci me titullin “Kështjella e (Mos)marrëveshjes”. Libri u cilësua një regjistër real i kohës kur u zhvillua konferenca e Rambujesë.

Autori i këtij libri, Adnan Merovci, një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të presidentit tashmë të ndjerë, Ibrahim Rugova, tha se Ballkani atëkohë kishte marrë frymë me veprën e ish-presidentit, raporton Ekonomia Online.

“Sot njëzet vjet më parë, në ora 16, është nënshkruar një marrëveshje dhe ngjarje historike në Ballkan pasi që me mushkëritë e Ibrahim Rugovës, Ballkani ka marrë frymë dhe mos të ishte politika e Ibrahim Rugovës ju po e dini çka ishte bërë sot”, u shpreh ai.

Pa dashur shumë ta komentojë librin e tij, Merovci ish-presidentin Rugova e cilësoi si peng të regjimit serb ndërsa vetën e tij peng të Rugovës.

“Ibrahim Rugova kishte atributin dhe ne jemi krenar që na ka udhëhequr ai. Presidenti Rugova ishte peng i regjimit serb ndërsa unë peng i tij dhe i regjimit serb”.

Pikërisht titulli “Peng” sipas Merovcit do iu jepet librit të dytë që tregon zhvillimet në Rambuje e që pritet të botohet pas dy muajsh.

Ish-ministri i MAShT-it Arsim Bajrami, tha se Merovci nuk kishte qenë vetëm një person teknik, por një person shumë i rëndësishëm gjatë gjithë periudhës së konferencës së Rambujesë.

“Janë shkruar dhjetëra libra për Rambujenë për sa e kam kuptuar ky do jetë një libër i madh dhe jam i sigurt që Adnan Merovci nuk ka qenë vetëm një person teknik por një person shumë i rëndësishëm i kësaj periudhe kjo konferencë ka realizuar 3 qëllime kryesore, por më e rëndësishmja ka qenë ajo e çlirimit të Kosovës”.

Ndërsa publicisti, Skënder Zogaj, tha se me këtë rast autori nuk është ndikuar nga aktualiteti, por ditarin e ka nxjerrë nga regjistruesi i ngjarjeve, me atë që autori ka parë me sytë e tij e ka dëgjuar me veshët e tij.

“Rëndësia e ditarit të Adnan Merovcit qëndron te fakti se gjatë shkrimit të këtij libri, autori nuk është ndikuar nga aktualiteti, por ditarin e ka shkruar me ndjesinë e kohës kur është zhvilluar konferenca, i vetëdijshëm se kjo mënyrë e qasjes, e bën ditarin real, më të saktë dhe më të besueshëm, pra kemi të bëjmë më një ditar autentik të atypëratyshëm, regjistrues të ngjarjeve dhe përjetimeve që autori i ka pa me sy dhe i ka dëgjuar me veshët e tij”.

E recensenti i librit Kështjella e (Mos) Marrëveshjes, Mark Marku, tha se përmes këtij ditari autori jo rastësisht sjellë në mendje kështjellën e Kadaresë teksa fletë për kështjellën e Rambujesë.

“Me vetëdijen se po merr pjesë në një ngjarje të madhe historike Merovci përveç funksioneve teknike merr edhe rolin e kronikanit të ngjarjes përmes ditarit të tij personal ku regjistron deri në detajet më të imëta gjithë “historinë” e marrëveshjes së Rambujesë në shënimet hyrëse të ditarit, ai jo rastësisht sjellë në kujtesë kështjellën e Kadaresë teksa flet për kështjellën e Rambujesë”.

Në një video të vitit 1999 të shkëputur pas përfundimit të nënshkrimit të Rambujesë aty u shfaq presidenti Thaçi i cili atë kohë ishte deklaruar për ngacmimet dhe kërcënimet që ai kishte marr nga pala serbe, madje këta të fundit, presidentin Thaçi e kishin kërcënuar edhe me vrasje.

“Kam presione dhe kam pasur kërcënime nga ana e delegacionit serb që më kanë kërcënuar që po qe se nuk nënshkruajmë marrëveshjen e Rambujesë ata do më vrasin”.

Madje në një pjesë të kësaj video u shfaq edhe fletë-arresti ndaj presidentit aktual Hashim Thaçi, fletë-arrest ky me urdhër të ish – presidentit serb Slobodan Millosheviq.

Pas kthimit në Prishtinë më 21 mars të vitit 1999 në një video të shkurtër shfaqet ish-presidenti kosovar, Ibrahim Rugova, i cili kërkon ndihmën e ndërkombëtarëve pasi sipas tij gjendja në Kosovë ishte e tmerrshme.

“Gjendja është e tmerrshme dhe kërkojmë menjëherë ndërhyrjen ndërkombëtare”.

Të ngjashme