Akademia e Shkencave e Shqipërisë: Juria e Nobelit pa parime

Tiranë | 11 Tet 2019 | 14:10 | Nga Ekonomia Online

Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka reaguar, përmes një letre drejtuar jurisë së akademisë suedeze, për dhënien e çmimit “Nobel” në letërsi shkrimtarit austriak, Peter Handke.

Peter Handke ka mbajtur një qëndrim mbrojtës dhe ka justifikuar krimet e Sllobodan Millosheviçit në Europë. “Ne na dëshpëron braktisja e parimësisë në gjykim nga juria e këtij çmimi, duke mbyllur sytë para inkurajimit të hapur që ai i ofroi makinerisë së urrejtjes etnike ndaj shqiptarëve të frymëzuar prej një njeriu të dënuar për krime të rënda kundër Njerëzimit nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës” shkruan Akademia e Shkencave.

Letra e Akademisë Shqiptare:

Akademia e Shkencave e Shqipërisë u njoh me shqetësim e zhgënjim të thellë me vendimin e jurisë së çmimit Nobel në letërsi, i cili për këtë vit iu rezervua shkrimtarit Peter Handke.

Duke qenë prej shumë vitesh propozuese ngulmuese e kandidaturës së shkrimtarit shqiptar me reputacion të gjithëvlerësuar botëror Ismail Kadare, Akademia e Shkencave e Shqipërisë u është shmangur, edhe pse me mundim, interpretimeve të kësaj jurie, duke mos dashur të gjykohet si palë e cenuar

Por laureimi i sivjetmë, që me të drejtë ka krijuar një gjendje shqetësimi gjerësisht në Europë e në Botë, na detyron të largohemi nga mirësjellja formale dhe të shprehemi me këtë kontestim publik, që u bashkohet shumë kontestimeve të tjera.

Kjo sepse Akademia motër Suedeze e Shkencave, në raste të mëparshme të vendimeve të diskutueshme të jurive të saj, me të drejtë ka lënë të kuptohet se është në parimet e saj që Nobeli i letërsisë është çmim talenti dhe qytetarie. Dhënia e një çmimi të tillë mund të arsyetohet me faktin se ai i referohet vetëm kontributit të shkrimtarit në letërsinë botërore, por në të njëjtën kohë jemi të vetëdijshëm edhe për peshën politike që mbart çmimi Nobel.

Të ngjashme