Anatomia e një skandali

Prishtinë | 23 Pri 2022 | 14:28 | Nga Afrim Kasolli

Këto ditë platforma digjitale Netflix e ka transmetuar serinë filmike “Anatomy of a Scandal”. Ky prodhim artistik është i adaptuar nga vepra e shkrimtares Sarah Vaughan, me të njëjtën temë. Në epiqendër të këtij trileri dramatik pasqyrohet një skandal seksual, që i godet majat kulmore të politikës në Britani të Madhe.

Jeta e qetë dhe familjare e Sophie Whitehouse (Sienna Miller) e martuar me James Whitehouse (Ruper Friend), deputetin e partisë konservatore dhe shokun me të ngushtë të kryeministrit, tronditet nga themeli kur zbulohet afera e tij seksuale me një asistente parlamentare, Olivia Lyton (Nami Scott).

Kjo e fundit e akuzon James-in për dhunim seksual. Kurse, përfaqësuese ligjore e palës së dëmtuar dhe që e sajon akuzën kundërJames-it është Kate Woodcroft, e cila kishte njohje me deputetin në fjalë që nga koha studimeve, sepse kishte qenë shoqe ngushtë e studimeve dhe mbikëqyrse e tezës së gruas së tij në Universitetin e Oksfordit.

Por, ajo në këtë proces gjyqësor shfaqet me një identitet të konvertuar. Sepse, emri i vërtetë i saj është Holly Barry. Dhe ishte kjo e fundit që ishte dhunuar nga James Whitehouse në fund të studimeve, mirëpo që nuk e kishte denoncuar kurrë këtë dhunim, nga frika se do të përçmohej dhe nuk do të kuptohej. Prandaj gjatë gjithë kohës kishte jetuar me këtë traumë psikologjike, morale dhe shpirtërore.

Kjo edhe është arsyeja që ballafaqimi në këtë proces gjyqësor, gjatë gjithë kohës oskilon ndërmjet akuzave të tanishme dhe sekreteve që e ndjekin pas, Kate Woodcroft-in, si një fantazmë që nga vitet e studimeve.

Kështu, James arrin ta fitojë procesion gjyqësor ndaj Olivia Lyton, por në fund kuptohen bëmat e vërteta të tij gjatë jetës libertine studentore, si dhe të kryeministrit aktual Tom Southern (Geoffrey Stretfeild). Ky i fundit ishte përgjegjës për vdekjen e një studenti tjetër, për shkak të konsumimit të tepruar të substancave narkotike. Po ashtu, shkaqet e vërteta të kësaj vdekjeje të dyshimtë kurrë nuk ishin hetuar.

Askund më shumë, se në këtë serial filmik, nuk vihet në sprove jeta e elitave super të pasura si dhe bindja dhe ndjeshmëria e tyre shoqërore dhe politike, se si janë mbi ligjin, për shkak të privilegjeve që i gëzojnë.

Po ashtu, kjo dramë në fund në mënyrë të përsosur tregon se si shpeshherë liderët politikë kushtëzohen nga njëri tjetri për shkak të origjinës së krimit përbashkët dhe sekreteve që i ndajnë në mes vete. Si janë të detyruar të mbrojnë njëri tjetrin deri në fund. Ngase i pret ose fundosja ose shpëtimi i përbashkët. Rrugë tjetër në kësi situata nuk ka.

Prandaj, seriali “Anatomy of a Scandal” ia vlen që të shikohet. Nëse për asgjë tjetër, atëherë të paktën për pasqyrimin dhe portretizimin që i bën labirinteve të “errëta të korridoreve të pushtetit”.

Të ngjashme