Artisti për të cilin animacioni është bota spirituale

Prishtinë | 01 Sht 2019 | 08:49 | Nga Ekonomia Online

Milorad Krstiq është artisti që shprehjen artistike e përdor për të shfaqur emocionet e tij dhe për të treguar histori. Me animacion u jep jetë pikturave që përthekojnë pikëpamjet e tij.

Krstiq është pjesë e fushave të ndryshme brenda artit vizual, si pikturë, vizatim, skulpturë, fotografi, skenografi, e të tjera. Është i njohur si animator, me filmin e tij të parë të shkurtër të animuar, “My Baby Left Me” të vitit 1995, me të cilin fitoi “Ariun e Argjendtë” në “Berlin Film Festival”.

Krstiq ka një shpjegim të veçantë për animacionin. Sipas tij, ai i ngjanë forcës mbinatyrore që vë në lëvizje pikturën. Këtë e zbërthen edhe nëpërmjet vetë fjalës animacion, shkruan Koha Ditore.

Peshku dhe ndjenjat

Një peshk me katër vija e ka shoqëruar gjithmonë artistin multidimensional Milorad Krstiq. Qëkur ka qenë katërvjeçar ai përmes katër vijave ka vizatuar një peshk. Dy vija kanë krijuar peshkun, një vijë kokën, e katërta ka shfaqur emocione. Një vijë e drejtë në gojë e ka shfaqur atë indiferent, një vijë lart i ka dhënë një buzëqeshje, ndërsa një vijë teposhtë e ka paraqitur peshkun të pikëlluar. Gjatë bisedës me të në Pejë, ai ka vizatuar përsëri në mënyrë të njëjtë peshkun. Krstiq ka ardhur në Kosovë në edicionin e 10-të të “Anibarit”, në korrik, ku ka shfaqur filmin e tij “Ruben Brandt, Collector”.

Të ngjashme