Artisti Sislej Xhafa nderohet me çmim në Firence

Prishtinë | 15 Dhj 2016 | 16:31 | Nga

Pos ekspozitës Në Firence artisti kosovar nderohet me ‘Akademiku i nderit’.

Të premten me 16 dhjetor, Sislej Xhafa rikthehet në Akademinë e Arteve të Bukura në Firence, atje ku dikur ishte student. Artisti nga Kosova do të hapë një ekspozitë personale me ç’rast janë të ftuar të gjithë studentët e Akademisë por edhe më gjerë.

Përndryshe në këtë natë, Xhafa edhe do të nderohet nga akademia e që do të jetë hera e parë që mirënjohja, Akademiku i Nderit i ndahet një ish-studenti. Xhafa do të ekspozojë veprën e tij ‘BD’ në hapësirat e Akademisë.

Artisti i njohur botërisht, kthehet në Itali pasi galeria ‘Arti i shekullit 21’ në Romë së fundi ekspozoi një retrospektivë të veprave të tij. I lindur në Pejë, në vitin 1970, Sislej Xhafa aktualisht jeton dhe vepron në Nju Jork. Xhafa me veprat e ti njihet për ndërthurjet e ekonomisë, politikës dhe kompleksitete të ndryshme të shoqërisë moderne.

Hulumtimet e tij, për shembull rreth fenomenit të turizmit apo ilegalitetit, përdorin gjuhë minimale ndërsa njëkohësisht janë ironike apo subversive duke përfshirë në to mediat, pikturat e skulpturat por edhe fotografinë.

“Realiteti është më i fuqishëm se arti. Si artist nuk më intereson të reflektoj në realitet por dua të ngre pikëpyetje rreth tij dhe ta sfidoj. Edukimi im social nuk përfaqëson aksione lineare e të arsyeshme. Unë i qasem jetën dhe botës me instinkt” kishte thënë Xhafa në vitin 2009 për punën e tij.

Rezultatet sociale dhe teoritë ekonomike për vite të tëra ishin pjesa qendrore e punës së Xhafës, me ç’rast hulumton edhe statusin legal të vet Kosovës.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme