Autorja nigeriane merr çmimin “PEN Pinter” për guxim dhe sofistikim

Prishtinë | 13 Qer 2018 | 15:13 | Nga

Romancierja nigeriane Chimamanda Ngozi Adichie është shpërbleyer me çmimin “PEN Pinter” për vitin 2018, transmeton sot “Koha Ditore” shkrimin e The Guardian. Nga e veja e Harold Pinter, biografja Antonia Fraser, ajo është vlerësuar si shkrimtare e cila mishëron “kualitetet e kurajës dhe shprehjes, të cilat Harold i admironte shumë”.

Një romanciere fituese e shumë çmimeve – libri i saj debutues “Purple Hibiscus” në vitin 2014 u shpërblye me çmimin e shkrimtarëve të Komonuelthit, libri “Half of a Yellow Sun” u shpërblye me çmimin “Orange” në vitin 2006 dhe “Americanah” në vitin 2014 mori çmimin “US National Critics Circle” – Adichie po ashtu njihet edhe për bisedat “TED” dhe esetë e saja. Libri i saj i fundit është “Dear Dear Ijeawele, or a Feminist Manifesto in Fifteen Suggestions”, dhe shkrimi i tij kishte zënë fill si këshillë për një mike sesi ta rriste vajzën e saj si feministe.

Paraqitja e saj në “TED” në vitin 2013 me “We Should All Be Feminists” (Të gjithë duhet të jemi feministë), më vonë u publikua si pamflet dhe u distribuua tek secili 16-vjeçar në Suedi si pjesë e kampanjës nga “Swedish Women’s Lobby”. Audio nga kjo paraqitje po ashtu u bë pjesë e këngës së Beyonces, me titull “Flawless”. Çmimi “PEN Pinter” ka për qëllim që të nderojë shkrimtarët me “merita të jashtëzakonshme letrare”, të cilët – sipas fjalëve të Pinter në fjalimin kur mori çmimin “Nobel” në vitin 2005 – hedhin një vështrim të patundur mbi botën dhe tregojnë “përkushtim të patrembur intelektual për të definuar të vërtetën reale të jetëve tona dhe të shoqërisë”. Në dekadën e fundit, ky çmim është marrë nga shkrimtarë të ndryshëm të njohur, në mesin e të cilëve Margaret Atwood, Salman Rushdie dhe Tom Stoppard.

“E kam admiruar talentin e Harold Pinter, kurajon, dedikimin e tij të qartë për të treguar të vërtetën. Dhe jam e nderuar të pranoj këtë çmim në emër të tij”, ka thënë Adichie.

Juria, e cila i ndau çmimin, e ka vlerësuar Adichie për “refuzimin për t’u penguar ose ndaluar nga kategoritë e të tjerëve”.

“Në këtë epokë të privatizimit dhe marketingut të vetes, Chimamanda Ngozi Adichie është përjashtimi i cili i sfidon këto rregulla”, ka thënë Maureen Freely, kryetare për “English PEN”.

“E sofistikuar tej mase në kuptimin e gjinisë, racës dhe pabarazisë globale, ajo na udhëheq drejt dyerve rrotulluese të identitetit politik, duke na çliruar të gjithëve”, ka shtuar ajo. Freely, në panelin e jurisë ka qenë e shoqëruar nga shkrimtarë Philippe Sands, Alex Clark dhe Inua Ellams,e po ashtu edhe nga Fraser.

Adichie do të pranojë çmimin me datën 9 të muajit tetor, kur edhe do të shpalosë bashkëfituesin e saj për “International Writer of Courage”. Adichie do të zgjedhë një autor “i cili është aktiv në mbrojtjen e lirisë së shprehjes, shpesh në rreziqe të mëdha për sigurinë dhe lirinë e tij”. Fitues i vitit të kaluar i këtij çmimi ka qenë poeti nga Belfast, Michael Longley, i cili ndau nderin me poetin iranian Mahvash Sabet.

Të ngjashme