Buqaj: Kulturës i duhet frymëmarrje në nivel ndërkombëtar

Prishtinë | 29 Pri 2017 | 10:13 | Nga

Në rubrikën e rregullt të së shtunës “Jepi Zërit”, kësaj radhe prezantojmë aktoren e njohur Sheqerie Buqaj, aktore rezidente në Teatrin Kombëtar të Kosovës”.

Sheqerie Buqaj deri tash ka realizuar 46 role kryesore dhe dytësore në teatër he në film. Ka lujtur nëpër disa teatro të vendit. Në filmin “Ejet e Kosovës”, sipas skenarit të Teki Dervishit dhe në regji të Sunaj raçës, me rolin e Pashkës, ishte e nominuar për aktoren më të mirë në Festivalin e 12 të filmit shqiptar, në Tiranë.

Me rolin e Florës, në filmin “Lufta mbaroi”, me skenar dhe regji të Mitko Panov, është prezantuar në disa festivale ndërkombëtare. Është fituese e Festivalit “Flaka e Janarit”, në Gjilan, si aktorja më e mirë, ndërsa këtë vit ishte e nominuar për çmimin aktori më i mirë, çmim ky që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës e ndanë për çdo vit.

Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

Cila është pyetja ma e shpeshtë që ia bëj vetes? Pse duhet t’i bëj çdo ditë punët e njëjta shtëpiake? Prandaj, mundohem t’i bëj pak më ndryshe, që me qenë pak më atraktive. Përndryshe, më lodhin shumë.

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Udhëtimi me i shpeshtë ditor i imi është Prishtine -Kukaj, Prishtinë -Mat dhe zakonisht kur kam shfaqje Shtëpi – Teatër, por edhe Shtëpi – Shkollë, ku e dërgoj dhe shkoj e marr vajzën. Sigurisht që këtu bën pjesë edhe udhëtimi Shtëpi –Shoping.

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

Libri që më ka pëlqyer më së shumti dhe të cilit i jam kthyer disa herë është “Emri i trëndafilit” i Umberto Ecos dhe “Mjeshtri dhe Margarita” i Bullgakovit.

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

Kjo krizë, mendoj është e përkohshme. Njerëzit janë në kërkim të një jete më të mire për shkak se kemi qenë gjithmonë të robëruar dhe ka qenë periudhë e mbijetesës. Tash njerëzit mendojnë se janë të lirë dhe kërkojnë më shumë nga jeta dhe në këtë vrap shpesh i humbin kriteret morale. Por mendoj se kjo është e përkohshme. Njerëzit konsideroj se janë më të mirë, më të mençur se sa në periudhat e mëhershme…

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Mundem me thanë se ka lëvizje dhe suksese të individëve, por si komunitet ka krizë. Nuk kemi zhvillim komunitar, por si individ ka artist me individualit të fuqishëm që mund të arrijnë rezultate kulmore në nivel ndërkombëtar. Por duhet frymëmarrje, hapje në nivel ndërkombëtar, përndryshe nëse vazhdon edhe gjatë kohë ky izolim, kjo mund të jetë fatale për artistët dhe njerëzit e kulturës në përgjithësi. Përgjithësisht kemi nevojë për një klimë kulturore më të avancuar, përkrahje më të madhe të shtetit dhe vëmendje më të madhe të publikut, pa të cilat kultura nuk mundet të mbijetojë.

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

Ajo që do të vijë nesër mund të jetë më e mirë se kjo që kemi sot, sikur kjo që kemi sot është më e mirë se ajo që kishim dikur. Unë besoj në dialektikën e progresit. Edhe nëse nuk kam të drejtë dua të besoj se kështu është. Jam natyre optimiste, prandaj. Shoh anen e ndritshme te realitetit.

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

Piktura e Amadeo Modilianit “Portreti i fundit i Zhanes, me sy te hapur. Pastaj poezia e Ali Podrimes ” Une biri yt Kosovë”, Filmi “Pema e jetës” i regjisorit Terrence Malick. Kengetarja Keedie me këngën “My reason”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme