Burt Reynolds, figura karizmatike e Hollywoodit

Prishtinë | 07 Sht 2018 | 11:32 | Nga

Mustaqoshi i pashëm dhe karizmatik i Hollywoodit, Burt Reynolds, i shquar për rolet e tij në filmat e njohur të viteve ‘70 dhe ‘80 “Deliverance”, “The Longest Yard” dhe “Smokey and the Bandit”, ka vdekur të enjten në moshën 82-vjeçare, si pasojë e sulmit në zemër, ka njoftuar menaxheri i tij.

Në kulmin e karrierës, Reynolds ishte njëri prej aktorëve më të paguar në industrinë e filmit, duke arkëtuar shuma të majme parash nga rejtingjet e filmave të tij deri në mes të viteve ‘80, kur përjetoi rënie në karrierë. Rikthim shënoi më 1997 me nominimin si aktori më i mirë në rol dytësor në “Academy Awards” për rolin në filmin “Boogie Nights” dhe e fitoi çmimin “Emmy” për rolin në serialin televiziv të viteve 1990-1994, “Evening Shade”.

I njohur për mustaqet e tij të dendura, pamjen e vrazhdë dhe qëndrimin prej një burri maço, Reynolds u bë seks simbol në vitet ‘70. U shfaq lakuriq në ballinën e revistës për gratë “Cosmopolitan” më 1972.

Jo rrallëherë ka ndodhur që jeta e tij personale t’i lërë në hije filmat në të cilët luante. Fjala është për përfundimin me divorc të martesës së tij disavjeçare me aktoren e famshme, Loni Anderson, dhe më pas me Judy Carne, si dhe romancat me aktore të tjera, përfshirë Sally Field dhe Dinah Shore. Reynolds ka tërhequr vëmendjen edhe për telashet e tij financiare, si dhe betejat me ilaçe.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme