Daci u përgjigjet akuzave për plagjiaturë, kritikuesit i quan nostalgjikë të Millosheviqit

Prishtinë | 21 Tet 2018 | 08:41 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Akuzave për plagjiaturë dhe kritikave për mospunën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK), u është përgjigjur kryeakademiku Nexhat Daci, i cili për Ekonomia Online, ka thënë se nuk merret me polemikat e organizatave joqeveritare, për të cilat tha se janë të pabaza.

Në mbledhjen e 8 tetorit 2018 të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji dhe Kulturë, anëtarë të organizatës “Integra”, e cila së fundmi ka monitoruar punën e AShAK-ut, kanë akuzuar këtë institucion për “gërryerje” të parasë publike.

Këto akuza i janë drejtuar AShAK-ut, për shkak të të gjeturave të hulumtimit “Kriza në akademi”, autor i të cilit është Shkëlzen Gashi nga organizata “Integra”.

Të gjeturat e këtij hulumtimi, anëtarë të kësaj organizate i kanë cilësuar si brengosëse dhe neveritëse, sepse, sipas të dhënave, nga 4 projekte të mëdha të këtij institucioni, vetëm një ka përfunduar, tre anëtarë të saj janë të akuzuar për plagjiaturë, shumica e librave janë ribotime, etj.

Lidhur me akuzat për cilësinë e botimeve dhe të projekteve të Akademisë, kryeakademiku Daci i tha Ekonomia Online se ky institucion ka botimet më të rëndësishme të projekteve dhe librave.

Ai shtoi se Akademia do t’u ndihmojë gjithmonë institucioneve shtetërore, siç tha, për të mirën e qytetarëve dhe të rinisë.

“Unë nuk polemizoj me OJQ-të, faktografinë që e kanë dhënë për botimin e veprave shkencore janë gënjeshtra, të pasakta. Shteti e ka bërë ndërtesën dhe Akademia gjatë gjithë viteve ka botimet më të rëndësishme të projekteve dhe librave. Çka bëjnë të tjerët është çështje e tyre. Unë kurrë nuk kyçem në polemika të cilat nuk i konsideroj, por Akademia do të jetë gjithmonë ndihmesë e institucioneve shtetërore për të mirën e qytetarëve të Kosovës dhe të rinisë, këto të tjerat.., burimet financiare e bëjnë që një organizatë lobon për diçka dhe tjetra për diçka, Akademia nuk e çan fare krytë për atë punë”, tha Daci për Ekonomia Online.

I pyetur lidhur me një nga të gjeturat e hulumtimit “Kriza në akademi”, e cila thotë se nga 22 anëtarë të rregullt të AShAK-ut, vetëm 3 kanë nga 3 punime të publikuara në revista akademike ndërkombëtare, ndërkaq prej 16 anëtarëve korrespodentë, 8 prej tyre kanë punime të publikuara në revista akademike ndërkombëtare, 3 nga 1 punim, 3 nga 3 punime dhe 2 të tjerë i kanë nga 6 përkatësisht 8 punime, Daci përsëriti qëndrimin e tij se nuk “kyçet në polemika të tilla pa bazë”.

“Në librin që është, është mirë të gjitha organizatat me e pa se është CV e shkurtë dhe shumë e gjatë e kryetarit të Akademisë dhe atje e shihni se sa janë punime të botuara jashtë vendit, sa libra dhe për të gjithë, ka shumë veprimtari në Akademi, nuk ju intereson, por vetëm presin se çka munden me sha, jo vetëm akademinë por të gjitha, prandaj unë nuk kyçem në polemika të tilla pa bazë”, tha Daci.

Daci është përgjigjur edhe për deklaratat e anëtarëve të organizatës “Integra”, të cilët në Komisionin për Arsim, të mbajtur më 8 tetor 2018, kanë thënë se Akademia e Shkencave ka qenë më aktive në kohën e Millosheviqit sesa tani.

“Unë nuk i kam dëgju, ata qenkan nostalgjikë atëherë të etapës së Millosheviqit. Akademia e ka shkruar deklaratën kushtetuese, deputetët e asaj periudhe e kanë lexuar atë që e ka shkruar Akademia, Kushtetuta e Kaçanikut po ashtu është prej akademisë, ndërsa kush ka nostalgji për Millosheviqin udha e mbarë i qoftë bashkë te Millosheviqi”, ka thënë Daci.

Shkëlzen Gashi nga organizata “Integra”, njëherësh autor i hulumtimit “Kriza në Akademi” ka thënë për Ekonomia Online se Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës që nga viti 2007 buxhetit të Kosovës i ka marrë afro 10 milionë euro dhe nga 4 projekte që ka pasur vetëm dy prej tyre janë realizuar.

Sipas Gashit, dy projektet e realizuara kanë shumë vërejtje dhe janë të punuara në mënyrë joprofesionale.
Ai shtoi se prej 10 milionëve, 2/3 e buxhetit kanë shkuar për paga dhe mëditje të akademikëve.

“Ajo që neve na ka shqetësuar më shumë është se ky institucion prej vitit 2007 e deri më sot për 10 vjet që kur është shpallur Kosova shtet i pavarur i ka marrë gati 10 milionë euro prej buxhetit të Kosovës, ka pasë katër projekte të mëdha, dy nuk janë bërë kurrë dhe dy i ka realizuar dhe për ato dyja ka shumë vërejtje sikur monografia ‘Kosova, vështrim monografik’ dhe fjalori Enciklopedik i Kosovës që është botuar tash e për të cilin ka shumë vërejtje, sepse janë bërë shkel e shko dhe në mënyrë joprofesionale”, tha Gashi.

Gashi përmendi akademikët të cilët, sipas tij, kanë bërë plagjiaturë dhe se askush nuk ka ndërmarrë kurrfarë mase rreth kësaj çështjeje.

“I kemi 3 njerëz që kanë bërë plagjiaturë, e kemi Nexhat Dacin që ka bërë plagjiaturë prej Musa Limanit, e kemi Sabri Hamitin që ka bërë plagjiaturë edhe e kemi Arsim Morinën që është po ashtu prej fushës së mjekësisë. Janë tre pjesëtarë të Akademisë për të cilët kanë dalë fakte të forta në medie ndër vite, kryesisht pas luftës për plagjiaturën e tyre dhe Akademia nuk ka ndërmarrë kurrfarë mase”, shtoi Gashi.

Në hulumtimim “Kriza në Akademi”, ndër të tjera shkruan: “Në vitin 2018, Kuvendi i AShAK-ut për kryetar zgjodhi akademik Nexhat Dacin, i cili më 10 nëntor 2010 ishte dënuar nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë me 18 muaj burg me kusht për shpërdorim të detyrës zyrtare. Ky vendim ishte konfirmuar edhe nga një trup gjykues i Gjykatës Supreme, me dy gjykatës vendorë e një të EULEX-it”.

Këtë gjë Gashi e përmendi edhe gjatë prononcimit për EO, me ç’rast shtoi se zgjedhja e një personi të dënuar me 18 vjet burg për kryetar të Akademisë, “është skandal në veti që flet shumë”.

“Akademia është i vetmi institucion në Evropë që kryetarin e ka të dënuar, është i dënuar me 18 vite burg me kusht për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe vendimi është i formës së prerë, do të thotë është skandal në veti që flet shumë”, tha ai.
Gashi tha se Daci në krye të akademisë është emëruar duke qenë vazhdimësi e pozitave nëpër të cilat ka kaluar më parë dhe në bazë të lidhjeve me të cilat ka pasur ai me liderët kosovarë.

“Ai e ka krijuar klanin e vet, grupin e vet aty brenda dhe ai edhe vendos se kush kanë me qenë anëtarë të Akademisë aty, është një institucion faktikisht që ky e ka privatizuar, e ka ozurpu për shkak të lidhjeve që i ka edhe me politikën, edhe sot e kësaj dite me krerët kryesorë të institucioneve të Kosovës, kryeparlamentarin, kryeministrin, edhe presidentin e Kosovës edhe ata e mundësojnë një lluks të tillë nëse mundemi me thënë”, tha Gashi.
Sipas Gashit, nevojitet një ristrukturim i Akademisë së Shkencave. Ai e dha si ide edhe mbylljen e këtij institucioni, sepse, sipas tij, Kosovës nuk i duhet një akademi si kjo.

“Ajo çka duhet me ndodhë me këtë institucion është një ristrukturim, rithemelim ndoshta edhe mbyllje sepse pse ka nevojë Kosova për një akademi. Kosova ka nevojë për një akademi, por pse për një akademi si kjo, ndoshta ma së miri për me vlerësu një institucion se sa i vlefshëm është ai është me pa se çka ndodh në Kosovë nëse mbyllet Akademia, a ndodh ndonjë gjë, a humb shkenca ndonjë gjë, nuk humb asgjë”, tha Gashi.

Të ngjashme