“Darka e thërrimeve” fitues i festivalit të dramës “Talia e Flakës 2017”

Prishtinë | 28 Jan 2017 | 12:48 | Nga

Pasi është prezantuar shfaqja “Askushi” e trupës teatrore “Aleksandër Moisiu” nga Durrësi, në natën e pestë është bërë edhe ndarja e çmimeve të edicionit të këtij viti të festivalit të dramës shqipe “Talia e Flakës”, e cila është mbajtur në kuadër të manifestimit mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2017”, nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

Juria e festivalit e përbërë nga treshja vlerësuese, Sokol Vangjeli, Anisa Ismaili dhe Ylber Nuredini, pasi ka analizuar shfaqjet e prezantuara gjatë pesë netëve sa ka zgjatur festivali i dramës, çmimin kryesor, atë për shfaqjen më të mirë, ia ka ndarë shfaqjes mysafire nga teatri shqiptar i Shkupit “Darka e thërrimeve”, të punuar nga regjisorit Qëndrim Rijani, me tekst të Refet Abazit.

Çmimi “aktori më i mirë” njëzëri i është ndarë Mentor Zymberaj për rolin e tij në monodramë “Aktori në kuti”.

Çmimi “aktorja më e mirë” e festivalit i ka takuar shkupianes Armenis Nokshiqi, për rolin e saj në shfaqjen “Darka e thërrimeve”.

Ndërkaq, teksti më i mirë është vlerësuar ai i autorit Bashkim Hoxha me titull “Askushi”, kurse çmimi për skenografinë më të mirë e ka fituar Bekim Korqa nga shfaqja nikoqire “Im at e donte Adolfin”.

Kritiku i artit nga Shqipëria, Josif Papagjoni, ka thënë se kemi nevojë për një festival të këtillë, i cili është i paracaktuar për dramën shqipe.

“Askush më mirë se shqiptarët, pavarësisht nivelit profesional të autorëve botëror, nuk do të mund të thoshte më shumë se vet shqiptarët për realitetin shqiptarë. Andaj, dimensioni dhe serioziteti i këtij festivali domosdoshmërisht duhet të mbahet dhe jo të bjerret”, tha Papagjoni.

Edhe këtë vit, ashtu si në të kaluarën, festivali “Talia e Flakës” është karakterizuar me shumë veçori, ku ka spikatur edhe njëherë numri i madh i shikuesve, dashamirë të teatrit.

Sipas kalendarit të paraparë, në kuadër të Manifestimi “Flaka e Janarit 2017”, gjatë ditëve në vijim do të prezantohen edhe një sërë aktivitetesh tjera kulturore nëpër shtyllat përkatëse, përfshirë ato nga trashëgimia e Flakës”, fusha e letërsisë, fotografisë etj.

permbyllja-talia1

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme