“Dodona” pa organe drejtuese, lë anash ndërrimin e skenës

Prishtinë | 14 Mar 2018 | 09:08 | Nga

Prioritet për “Dodonën” nuk është ndërrimi i skenës. Teatri i qytetit të Prishtinës ka telashe që i konsideron më të mëdha sesa kjo. E ato janë mungesa e organeve drejtuese.

Tash e një vit, Teatri i qytetit të Prishtinës s’ka drejtor e prej fundit të vitit të kaluar as Këshill Drejtues, shkruan sot “Koha Ditore”.

Zgjedhja e tyre ashtu sikurse edhe e dy aktorëve, janë më parësore për këtë institucion me gjithë faktin se skena e rinovuar vitin e kaluar është konsideruar jostabile dhe se paraqet rrezik potencial për aktorët. Megjithatë, prej dhjetorit të vitit të kaluar, kur u rihap ky teatër pas rinovimit 60 mijë eurosh, shfaqjet vazhdojnë të jepen në skenën e shtruar me pllakën e zier, të njohur si “osb pllakë”.

Drejtoria e Kulturës në Komunën e Prishtinës tashmë ka marrë kërkesat që ka “Dodona” dhe janë duke i shqyrtuar që të gjejnë zgjidhje, ani pse asnjë hap konkret nuk është ndërmarrë deri më tani.

Yll Rugova, drejtor i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, ka thënë se brenda pak javësh do të kenë një situatë të zgjidhur sa u përket këtyre sfidave që ai i ka trashëguar. Tashmë e ka pranuar një listë me kërkesat e “Dodonës”, që sipas menaxherit të këtij teatri, Valdet Rama, janë më urgjente sesa skena.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme