Edhe dy shtatore të shëmtuara në Kosovë

Prishtinë | 29 Nën 2020 | 16:53 | Nga Ilir Muharremi

Kritikë për shtatoren e Skënderbeut dhe Adem Jasharit që u ngritën dje në Prizren.

Skulptura është art tredimensional, art që i sfidon kohës, që varet nga koha, përkufizohet nga koha, vlerësohet nga koha. Është art publik, veçanërisht kur bëhet fjalë për shtatoret të cilat monumentojnë një figurë të shquar, ngjarje historike, hero të kombit, për të cilën opinioni i sotëm, dhe ai në ardhje duhet të jap konkluzion estetik përfaqësues të biografisë dhe meritave të dhëna nga ajo figurë, pra duhet ta rikujtojë saktë mbas anatomisë, gjestit, karakterit origjinal, pavarësisht se është art, por është art publik shtatorja.

Pastaj, shtatorja kur punohet mendohet qëndrueshmëria e saj ndaj mëngjesit, përplasja e rrezeve të diellit, shfaqja e hijeve që shpesh herë mjegullon gjymtyrët dhe vijat e krijuara nga skulptorit, pastaj pasditja, kohët me shi, muzgu dhe mbrëmja.

Vëzhgimi optik, me të cilin lidhet ngushtë hapësira se ku vendoset shtatorja, distanca e të vëzhguarit, bazamenti, lartësia, arkitektura përreth e të gjitha këto ndikojnë në origjinalitetin estetik dhe te shfaqjes së karakterit mbas udhëzimeve të fotografive ose gojëdhënave. Duke e modeluar dhe strukturuar me kujdes dhe saktësi formën, dukë i dhënë jetë, frymë skulpturës. Pra, skulptorët të cilët krijuan dy shtatore atë të legjendarit Adem Jasharit dhe heroit tonë më të madh Gjergj Kastriotit- Skënderbeut që u zbuluan dje në qytetin e Prizrenit nuk ofruan as minimumin e artit të saktë të skulpturës, por dhanë paqartësi, deformime anatomike, i fyen figurat tona të shquara sepse pamja e jashtme e skulpturës jep shumë rëndësi, janë të turpshme vizualisht dhe të shëmtuara artistikisht.

Shtatorja e Skënderbeut, tregon një pasaktësi proporcionale anatomike me deformime serioze. Koka është shumë e gjatë, gjatësia e qafës e tejkalon çdo matje proporcionale të trupit dhe hollësia e saj. Pastaj, skulptori fokusohet te mjekra e cila aspak nuk është e natyrshme dhe nuk i ngjanë mjekrës së Skënderbeut. Trupi i tij hollak më shumë nxjerr atë anën komike sesa luftarake dhe nuk e di se ku qe qëllimi i skulptorit. Në portale del emri i autorit të kësaj skulpture që është Sinan Alija.

Ndërsa, shtatorja e komandantit legjendar, Adem Jashari, që po ashtu u zbulua në Prizren, është krijuar nga një fotografi e Jasharit. (Emri i skulptorit nuk dihet). Përmasat devijojnë, sidomos kraharori shumë i gjerë, duart e shkurtra e të holla, me shuplaka të vogla. Si duket skulptori mendon që veç mjekra dhe një palë dylbi e identifikojnë imazhin real të Jasharit.

Ndonëse, dhe karakteri devijon plotësisht, prapa syve nuk mund të vërejmë shpirtin e Ademit. As një gjest, as një lëvizje nuk është e Ademit. Figura ngjanë më shumë me ato lodra të Legos.

Deri kur më të fyhen heronjtë shqiptarë me shtatore të dobëta. Nuk e di a është e qëllimshme kjo fyerje apo përse duhet të bëhet? Duhet sa më parë të rrënohen këto shtatore, të ngritën ato siç i ka hije heronjve shqiptarë.

Njëherë e masakruan serbët, tash po e masakrojmë vetë ne me anë të artit.

(Autori është kritik i artit)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme