Ekspozita “Hasjania” e skulptorit Luan Mulliqi shpalos veshjen unikale të gruas hasjane

Prizren | 07 Mar 2019 | 20:28 | Nga Nexhmie Hyseni Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Galerinë e Hamamit në Prizren është hapur ekspozita e skulptorit Luan Mulliqi, e titulluar “Hasjania”, aktivitet ky i organizuar nga MKRS-ja pas hapjes së zyrave të saj në qytetin jugor të Republikës së Kosovës.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i cili mori pjesë në këtë ngjarje, u shpreh se kjo ekspozitë po hapet në ditën më të rëndësishme të arsimit shqip, më 7 Mars. 

“Ju do të thonit se çfarë lidhje ka 7 marsi me hasjanët, unë do të shtoja se mësuesi i shkrimtarëve të parë shqiptarë ishte Pal Hasi, nga i cili kishin mësuar Gjon Buzuku e Pjetër Budi, për të vazhduar më pas me Pjetër Bogdanin e Pjetër Mazrrekun, që gjithashtu janë nga Hasi i Skënderbeut. Andaj edhe unë u lumturova kur dëgjova për këtë ekspozitë dhe me kënaqësi e pranova që të jetë nën organizim të Ministrisë për Kulturë Sport dhe Rini”, u shpreh ministri.

Ministri foli edhe për artistin Luan Mulliqi, me ç’rast vlerësoi se prezenca e tij e nderon qytetin e Prizrenit. Ai tha se akademik Mulliqi ka realizuar ekspozita personale në vende të ndryshme të botës si dhe në hapësirën mbarëshqiptare, e tani këtë radhë vjen edhe në Prizren, në qytetin shpirtëror të shqiptarëve, edhe javë më parë MKRS-ja ka hapur zyrat e saj. 

“E veçanta e kësaj ekspozite është shpalosja me përpikëri e veshjes së femrave hasjane, që pa dyshim është një ndër veshjet më unikale dhe të veçanta jo vetëm në vend, por edhe më gjerë. Ndaj, pikërisht kjo veçanti dhe vlerë e trashëgimisë së veshjeve hasjane, e frymëzoi skulptorin Mulliqi, që të skulpturoi për disa vite 40 skulptura”, sqaroi ministri Gashi në fjalën e tij, duke e konsideruar se artisti ynë pos vlerave etnografike në skulpturën e tij gdhend edhe legjendat e njohura për këtë veshje.

Skulpturat që u paraqitën në këtë ekspozitë, rreth 40 sosh, janë të punuara nga mermeri, bronzi, druri, alumini, magoni e materiale të tjera, klasike e modern dhe përmes saj synohet të dëshmohet se trashëgimia jonë kulturore duhet të pasqyrohet sa më shumë brenda dhe jashtë vendit.

Ministri Gashi tha se nuk do të mungojë përkrahja jonë si institucione, sepse trashëgimia kulturore e jona është pasaporta që dëshmon për lashtësinë, vlerat artistike dhe njerëzore të shqiptarëve në Evropë dhe në botë.

Ndërsa akademik Mulliqi shprehu falënderimin e tij për mundësinë e dhënë që veprat e tij artistike të kenë mundësinë të shfaqen në qytetin që është vatër e kulturës shqiptare.

Qëllimi i kësaj ekspozite sipas autorit dhe skulptorit të veprës “Hasjania” Luan Mulliqi, është pasqyrimi i veshjes hasjane e cila mbetet ende sot e kësaj dite një nga traditat e Hasit të Prizrenit.

Vetë skulptori Mulliqi tha se edhe pse janë prezantuar në shumë vende, si Çikago, Dallas e Rumani, këto skulptura, ato rehatinë më së shumti e gjejnë në vendin e vet.

Drejtoresha e Departamentit të Kulturës, Vjollca Aliu, tha se Prizreni është i nderuar me ekpozitën”Hasjanja” të Mulliqit.

Luan Mulliqi, autor dhe skulptor i veprës “Hasjanja”, ka pasur edhe vepra të tjera skulpturore, me të cilat ka prezantuar veten në ShBA e në Evropë.

Mulliqi është autor i veprës së madhe skulpturore, ajo e shtatores “Nënë Tereza”, e cila është e vendosur në sheshin e Prishtinës.

Të ngjashme