Ekspozitë kushtuar jetës dhe veprës së Adem Demaçit

Prishtinë | 28 Kor 2016 | 16:24 | Nga

Në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës, mbështetur nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, Instituti Albanologjik i Kosovës dhe Instituti i Historisë “Ali Hadri”, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) sot në ambientet e Shoqatës të të Burgosurve Politikë u hap ekspozita kushtuar jetës dhe veprës së Adem Demaçit, e cila përmban një pjesë të fondit të fotografive, dokumente e botime të mbledhura të Adem Demaçit.

Në këtë ekspozitë, ecila përkon me mbajtjen e “Ditëve të Diasporës”, morën pjesë ministri i Ministrisë së Diasporës, Valon Murati, kryetari i Shoqatës të të Burgosurve Politikë, Hydajet Hyseni, si dhe veprimtarë e qytetarë të tjerë.

Meriman Braha, veprimtar i lëvizjes kombëtare, ish-i burgosur politik tha se ky aktivitet i dedikohet një figure emblematike të lëvizjes sonë kombëtare, Adem Demaçi. Ky vit është i shpallur si vit i Adem Demaçit, në 80-vjetorin e lindjes së tij dhe në shënim të gjithë veprimtarisë së tij patriotike, atdhetare, kombëtare, intelektuale, kulturore e humanitare.

“Vepra e Adem Demaçit, qëndresa  e tij ka qenë frymëzim për shumë breza të rezistencës kundër pushtuesit. Raporti i Adem Demaçit me mërgatën është i veçantë, sepse mërgata e diaspora jonë është ngritur e krijuar edhe si mërgatë politike. Veprimtarët tanë kanë punuar në mobilizimin e njerëzve në diasporë në vitet më të rënda, çdoherë duke e pasur përballë edhe figurën e Demaçit si një simbol i rezistencës, i lirisë universale për shqiptarët dhe njerëzimin”.

“Adem Demaçi me veprën dhe punën e tij, nuk është vetëm një figurë e rëndësishme e popullit shqiptar, por një figurë e rëndësishme për njerëzimin, sepse përpjekja e tij për liri është një përpjekje universale, është një vlerë njerëzore”, tha ministri Murati.

Edhe Hydajet Hyseni kryetar i Shoqatës të të Burgosurve Politikë foli për figurën e Adem Demaçit, i cili tha se 29 vjet të Adem Demaçit dhe të shumë veprimtarëve të tjerë kaluar nëpër burgje të Jugosllavisë kanë qenë edhe një lloj ekzili i dhunshëm.

“Nuk është e rastit që Adem Demaçi është perceptuar në mesin e mërgimtarëve si përfaqësues i veçantë edhe i së kaluarës, edhe i së ardhmes. Duke nderuar Demaçin ne i bëjmë një nder edhe mërgatës, duke shprehur mirënjohje për gjithë atë që ka bërë për atdhetarët. Pa kontributin e mërgatës nuk do të ishte as Kosova e as kombi këtu ku është”, tha Hyseni.

Kjo ekspozitë, e cila po mbahet në kuadër të shënimit të vitit Demaçi, do të qëndrojë e hapur deri në fund të verës.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme