Ermal Meta i treti në festivalin e Sanremos

Prishtinë | 12 Shk 2017 | 10:09 | Nga

Ermal Meta shkoi shumë afër çmimit të madh të Sanremos dhe e mbylli garën në vend të tretë. Pak zhgënjim në çastin kur ëndrrat kishin prekur qiellin, por një rezultat i shkëlqyer po të kujtojmë pritshmëritë që mund të kishim pesë net më parë, kur nisi ky festival.

Një nga tre këngëtarët, mes 22 konkurrentëve, që ishte dhe autor i këngës së tij dhe një histori autobiografike me titull “Vietato Morire” që e mbajti gjatë gjithë këtyre ditëve në pesëshen më të mirë të renditjeve radiofonike dhe të internetit. Ndërsa natën finale ai doli në treshen më të mirë, konkretisht në vend të dytë.

Më pas, të tre vendet e para, iu nënshtruan televotimit, ku publiku do zgjidhte me votat e tij 100 % fituesin mes tre më të mirëve, Fiorella Mannoia, Ermal Meta dhe Francesco Gabbani, të zgjedhur më parë nga ai 40%, juria profesioniste, 30% dhe gazetarët, 30%.

Një emocion i veçantë ishte kjo fazë pritjeje sepse Mannoia kishte deklaruar që nëse fitonte nuk do të merrte pjesë në Eurovision, që do të thoshte që përfaqësimi i Italisë do mbetej në duart e vendit të dytë.

Një shpresë që u shua kur nisi ndarja përfundimtare e çmimeve. Ermal Meta u rendit i treti. Pak më parë kishte rrëmbyer Çmimin e Kritikës, që bashkë me çmimin e parë në mbrëmjen e këngëve Cover e bëjnë, megjithatë, një Sanremo shumë të suksesshëm të tijin.

Surprizat për pjesën tjetër të publikut, duke qenë që niveli i interesit emocional i shqiptarëve me siguri ra menjëherë, vazhduan. Ndërsa pritej që fituese të ishte Mannoia, e cila rrëmbeu edhe çmimin për tekstin më të mirë, me “Che sia benedetta” ajo u rendit në vend të dytë. Këngëtarja që kthehej në Sanremo pas 30 vitesh ngriti në këmbë gjithë sallën që e duartrokiti gjatë. Dhe më pas ishte radha e kampionit. Francesco Gabbani me një këngë ritmike që të bën të vallëzosh, arkitekt i talentuar për të krijuar një atmosferë gazmore, ai u shpall fitues i Sanremos së këtij viti me “Occidentali’s Karma”.

Gabbani do të përfaqësojë Italinë në Eurovision

Ishte një Sanremo i bukur. U ngjitën në skenë shumë figura të njohura italiane dhe ndërkombëtare. U rikthyen këngëtarë që kanë krijuar historinë e asaj skene. Fitoi një këngë ndryshe nga ato të viteve të fundit dhe…Ermal Meta doli i treti. La një mesazh në skenë, la gjurmët e talentit të tij dhe rrëmbeu ca çmime. Të gjitha për t’u kujtuar nga ky edicion.

“U emocionova shumë në këto dite dhe shpresoj qe edhe ju u emocionuat bashke me mua. Ju falënderoj për çdo herë që më keni menduar”, shkruante Ermali para finales.

Ai sapo ka publikuar edhe albumin e ri me titullin Vietato Morire.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme