Fahrije Hoti shpallet “Evropiania e Vitit 2022”

Prishtinë | 28 Pri 2022 | 08:37 | Nga Ekonomia Online

Fahrije Hoti, themeluese e Kooperativës Bujqësore “Krushë” është shpallur ”Evropiania e Vitit 2022”.

Fituesi sivjet është përzgjedhur ai personalitet që ka marrë më së shumti pëlqime në një votim në rrjetet sociale.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë pat bërë të ditur emrat që janë të nominuar si “Evropiani i Vitit 2022”, ku ndër to ishte dhe Fahrije Hoti.

Fahrije Hoti është shembulli më i mirë se si të shndërrohet një përvojë e dhimbshme në guxim dhe qëndrueshmëri. Pas luftës, e cila mori burrin e saj së bashku me 243 burra dhe djem nga fshati i saj, ajo dhe të gjitha gratë e tjera të Krushës u përballën me probleme të mëdha për rritjen e fëmijëve pa të ardhura. Sot Fahrije krenohet me Kooperativa ‘Krusha’, një kompani që punëson 50 gra, e cila prodhon një shumëllojshmëri turshish dhe ajvaresh. Historia e saj frymëzuese e bëri atë personazhin kryesor të filmit të nominuar për Oscar, Zgjoi, shkruan KultPlus.

Të ngjashme