Filarmonia sjell ngjyrat e festës me shpresën për sallë koncertesh

Prishtinë | 24 Dhj 2019 | 09:01 | Nga Ekonomia Online

Me koncertin në të cilin u interpretuan 15 vepra të shtrira nëpër periudha të ndryshme – nga klasicizmi, baroku, romantizmi e klasicizmi modern – Filarmonia e Kosovës e ka përmbyllur vitin 2019. Ai që fuqizoi pjesën festive të dielën mbrëma në Sallën e Kuqe në Prishtinë qe dirigjenti Noorman Widjaja. Me lëvizje mjaft të shkathëta, Widjaja (71) ka vallëzuar me muzikën, ka kënduar bashkë me solistët e në të njëjtën kohë ka komunikuar edhe me orkestrën. Shkathtësitë e këtij muzikanti, që e nisi karrierën qëkur ishte 11-vjeçar, janë parë që në fillim. Ai me lehtësi ka bashkëpunuar me orkestrën e solistët, duke e shndërruar krejt këtë në një vals të bukur tingujsh e notash.

Uvertura nga “Baroni cigan” e Johann Strauss nisi vargun e veprave. Muzika dhe natyra e kësaj vepre kanë bërë që shumë kritikë ta konsiderojnë atë si një operë komike. Bashkë me “Pizzicato polka” nga Johann Strauss kanë qenë të vetmet që u interpretuan vetëm nga orkestra. Të tjerat erdhën të shoqëruar nga solistët që morën pjesë në këtë koncert.

I pari që doli në skenë ishte kontratenori Safet Berisha, i cili ka zgjedhur veprën “Strike the viol” nga “Come, Ye Sons of Art” të Hanry Purcell. Pas kësaj, radha i erdhi sopranos Adelina Paloja me “Mesicku na nebi” nga opera “Rusalka” e Antonin Dvorakut, për të vazhduar me sopranon Kaltrina Miftari me veprën “Donde lieta usci” nga opera “La Boheme” e Giacomo Puccinit. Vepër pas vepër radha i ka ardhur sopranos Zana Abazi – Ramadani me veprën “Je veux vivre” nga opera “Romeo dhe Xhulieta” të Charles Gounod. Interpretimi i sopranos dhe kapja e notave të larta me tekstin, që si porosi lë fjalinë “Dua të jetoj”, bënë që pjesa e fundit e saj të luhej nga orkestra nën duartrokitjet që nuk kishin të ndalur, ani pse vepra ende s’kishte përfunduar.

Duke vlerësuar çdo vepër e këngëtarë që erdhi para, por edhe pas saj, Zana Abazi-Ramadani ka thënë se të gjithë kanë punuar shumë për të sjellë më të mirën e tyre dhe për të krijuar këtë laramani që u shpalos.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme