Fillon ndërtimi i anijes Liburna në Ulqin

Prishtinë | 12 Gus 2019 | 19:07 | Nga Skender Berisha

Moti lajm më të mirë nga Ulqini nuk morëm, më në fund. Liburna do të hap velat, në Ulqin, nga ulqinakët.

Pas qindra vitësh. Të gjithë miqtë e mi e njohin pasionin tim për anijet, barkat dhe mjetet lundruese. Më shumë se dhjetë vjet, e ëndërroj ndërtimin e anijës së famshme, Liburna, nga shqiptarët, për shqiptarët.

Gjatë qëmtimit të informatave rreth anijeve, këtë anije, Liburnën e famshme, për nevojat turistike e kanë ndërtuar shumë shtete dhe popuj si italianët, gjermanët, holandezët, polakët, boshnjakët e ndonjë tjetër.

Liburna, për mbi një mijë vjet ishte mbretëresha e mesdheut dhe deteve të ndryshme. Më në fund, anija Liburna do të ndërtohet, në Ulqin.

Pak, rezerva për këtë ndërmarrje të jashtëzakonshme më shkakton ekipi heterogjen që mund ta vonojë në pakufi ndërtimin e saj. Shpreh këtu respekt të pakufishëm për këtë ndërmarrje dhe iniciativë, sa turistike, aq historike për të gjithë neve.

E mira është se Liburna do të ndërtohet, nga populli që e ndërtoi ndër shekuj, pas qindra vitesh përvojë të kulturës detare, duke qenë anije me nam, e shpejt, lehtë e manovrurshme dhe e dobishme. Kur pata kërkuar nga Ministria e Transportit, Ligjin për lundrim dhe Ligjin për Mjetet e lundrimit, përgjigja ishte epike: Pse të bëjmë ligj për lundrim kur nuk kemi det. Megjithatë, na duhet edhe ligji për lundrim, për mjetet e lundrimit dhe regjistrimin e mjeteve lundruese, sipas standardeve, ashtu siç Malta nuk ka lum por e ka ligjin për lumenjtë. I gjithë tregimi rreth liburnës, nxit kurreshtjen e secilit, ku ishim dhe ku jemi në anijendërtimtari. Kjo fushë e veçantë, shumë e çmueshme e popullit dhe kombit tonë, si pasardhëse e ilirëve, bart me veti edhe përgjegjësi.

Nuk u ruajt as nuk u bë brendimi i anijeve ilire. Duke filluar nga barka, anija dhe llojet e veçanta. Enciklopeditë e ndryshme, anijet që kanë origjinë puro shqiptare, të identifikuara edhe nga emri, sipas tyre, nuk dalin të jenë ilire-shqiptare, por greke apo romake.

Pavarësisht se anijet me rrema (lopata), quhen anije direma ose birema, trirema, pentarema (dy rrema, tre rrema, pesë rrema…), nuk quhen as ilire as shqiptare. Anijendërtimtaria është industri e rëndë. Pavarësisht se fqinjët tanë si Mali i Zi, pa asnjë traditë, ka ngritur flotë të fuqishme detare, mos të flasim për Greqinë, Kroacinë apo Italinë.

Anijendërtimtaria shqiptare, aktualisht është e sfiduar nga politika jofavorizuese, nga politikanët që nuk e lexojnë sa duhet historinë, por edhe nga fqinjët tanë që me shumë investime, lundrojnë oqeaneve, neve na mbetet t’i shohim në porte kur vijnë me turistë, apo kur shesin bileta për transportin e mallrave dhe qytetarëve. Si duket, Bindi është zgjuar nga gjumi, paska qenë në Ulqin!

Të ngjashme