Filmi “Martesa” ende pa datë të premierës

Prishtinë | 30 Jan 2017 | 12:59 | Nga

Ekipi i filmit, që para katër vjetësh mori mbështetje nga buxheti i shtetit, ende nuk e ka caktuar datën e premierës, por paralajmëron se rrëfimi i “Martesës” do të shfaqet në ekran brenda këtij viti.

Filmi i regjisores Blerta Zeqiri tashmë është në fazën e përfundimtare të postproduksionit dhe është në prag të marrëveshjes me një kompani ndërkombëtare të distribuimit. Filmi që shpalos në ekran sekretet mes një trekëndëshi dashurie para dhe gjatë martesës, vitin e kaluar ishte bërë pjesë e garës për çmimin e festivalit të filmit që mbahet në Karlovy Vary e që fituesin e shpërblen me 100 mijë euro ndihmë për finalizimin e filmit.

“Martesa” – projekt i produksionit “Beze”, që ka në rolet kryesore Adriana Morinën, Alban Ukën dhe Genc Salihun, sipas kontratës, kishte pasur afatin për shfaqjen e premierës në shtator të vitit 2015. Por ekipi i projektit dy herë ka kërkuar afat shtesë nga Qendra Kinematografike e Kosovës, e cila e ka mbështetur atë me 150 mijë euro në konkursin e vitit 2013. Data e shfaqjes së premierës dhe as vendi nuk janë caktuar ende.

“Premiera e filmit ‘Martesa’ do të jetë gjithsesi në vitin 2017, por koha e saktë dhe vendi varen nga festivalet që do ta zgjedhin filmin tonë, dhe përzgjedhja jonë në rast se është më shumë se një festival që e dëshiron filmin në të njëjtën kohë”, ka thënë producenti e bashkëskenaristi i këtij filmi – Keka, Kreshnik Berisha.

Të ngjashme