Galeria e Ministrisë së Kulturës sjellë ekspozitën “Pullë postare”, të autorit Haxhi Gjoni

Prishtinë | 22 Tet 2018 | 11:41 | Nga Ekonomia Online

Të enjten më 25 tetor 2018, në ora 19:00, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës bëhet hapja e ekspozitës “Pullë postare”, e autorit Haxhi Gjoni.

Kësaj radhe, hapësira ekspozuese e GMK-së do të mbulohet me një domen artesh skulpturore, ku autori Haxhi Gjoni shpërfaq kreativitetin e profilit të vet skulpturor, bërë me tehun e daltës.

Kjo ekspozitë, para së gjithash ka simbolikën e daktilografisë shprehëse, nisur me paraqitjen në medaljone të personazheve të mëdha siç është Nëna Terezë, e cila vjen si format pusulle ose si pullë postare në kontekstin e gjenezës, prejardhjes dhe vizionit të saj prej paqeje botërore.

“Skënderbeu”, “Koka e shqiponjës”, “Familja e murosur në gur”, “Hyjnesha në fron”, “Mikelanxhelo”, “Koka e kalit” etj., janë disa prej punimeve të tij me të cilat paraqet identitete historike, të farkëtuara në kulturën e gurit afrikan, indian, apo ballkanik.

Ekspozita financohet dhe drejtohet nga Galeria e Ministrisë së Kulturës, ndërkaq kurator i ekspozitës është  Naser Shatrolli.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme