“Gardhi” pa përkrahje merr trofe e garon nëpër festivale botërore

Prishtinë | 27 Mar 2019 | 08:41 | Nga Ekonomia Online

“Gardhi” i Lendita Zeqirajt e ka mbyllur javën e kaluar me një tjetër çmim. Ka zënë vendin e tretë në garën ndërkombëtare në edicionin e 11-të të “Short Waves” në Poznan të Polonisë.

Brukseli e Dortmundi janë stacionet e radhës për filmin 15-minutash që prek temën e lirisë së shprehjes, mentalitetit të gjeneratave dhe kufizimeve apo gardheve që vendosen nga shoqëritë jo fort të përparuara. Në krejt festivalet ku po merr pjesë, ka një emërues të përbashkët: shfaqet e garon pa praninë e regjisores a të ekipit, sepse mungon përkrahja e institucioneve të vendit, të cilin e përfaqëson. Kjo është njëra prej ankesave kryesore të regjisores së filmit, i cili në qershor të vitit të kaluar u dha premierë botërore dhe mori çmimin kryesor në “Palm Springs International Short Film Festival”, kur edhe fitoi të drejtën për t’u kualifikuar për “Oscar”.

Edicioni i 22-të i “Festivalit të Filmit të Shkurtër në Bruksel” do të mbahet prej 25 prillit deri më 5 maj. Gjatë 11 ditëve do të sjellë rreth 300 filma të shkurtër. Edhe aty është në kategorinë e garës ndërkombëtare, shkruan sot Koha Ditore.

Para Brukselit, “Gardhit” i ishte konfirmuar se është në garë zyrtare në “Dresden Film Festival” në Gjermani, që mbahet prej 9 deri më 14 prill dhe garon për “Kalorësin e artë” në mesin e 47 filmave të tjerë.

Por regjisorja e filmit, Lendita Ziqiraj, s’mund t’u gëzohet 100 për qind sukseseve. Ka thënë se filmi i saj po e vazhdon rrugën i vetëm, ngase ajo s’mund të marrë pjesë në festivalet ku garon e triumfon filmi i saj.

Sipas saj, është ironike që autorët e filmit që e prezanton Kosovën nëpër botë nuk përkrahen sa duhet.

Ka thënë se për shkak të pamundësisë për të udhëtuar, “Gardhi” do të shfaqet “jetim” edhe në “Dresden Film Festival” në Gjermani.

Edhe aktorja Ilire Vinca, e cila në film luan rolin e Elmazes, një gruaje të mbyllur brenda mureve të shtëpisë dhe mentalitet konservator, ka thënë se sukseset e “Gardhit” i ka pritur, duke pasur parasysh skenarin dhe mënyrën e punë së regjisores dhe krejt ekipit.

të, roli në “Gardhi” ka qenë i veçantë, ngase luan bashkë me vajzën e saj Rozafa Çelaj.

Vetëm gjatë vitit të kaluar “Gardhi” u shpërblye në 13 festivale ndërkombëtare, mes të tjerash, edhe si filmi më i mirë në Palm Springs, “Hapmtons”, New Orleans” dhe “DokuFest”.

Në film luajnë edhe: Adriana Matoshi, Melihate Qena, Xhejlane Godanci, Kumrije Hoxha, Arta Selimi, Alketa Sylaj, Edita Dula, Timur Urqan e Norik Xhemajli.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme