Gashi: DokuFest, institucion i veçantë i kulturës në Kosovë

Prizren | 10 Gus 2018 | 20:52 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka organizuar pritje për pjesëmarrësit e Festivalit “Dokufest”, i cili po mbahet në Prizren, dhe mbështetet edhe nga MKRS-ja.

Ministri Gashi tha se Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest” është ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë; dhe premtoi vazhdimin e përkrahjes nga ministria që ai drejton, raporton Ekonomia Online.

“Përgjatë ditëve sa mbahet festivali, qyteti i Prizrenit vërshohet nga mijëra vizitorë nga shumë vende të botës. Filmat shfaqen në disa kinema, duke përfshirë edhe kinematë nën qiellin e hapur. Ky festival është një ngjarje e cila e ka bërë të njohur Prizrenin dhe Kosovën gjithandej botës, veçanërisht tek artistët dhe te industria e filmit”.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të jetë në mbështetje të plotë të këtij festivali edhe për vitin e ardhshëm dhe garantoj se mbështetja e sotme do të rritet për këtë ngjarje sepse e konsiderojmë njërën prej ngjarjeve me të rëndësishme, jo vetëm për Prizrenin por edhe për Kosovën dhe MKRS-në”, tha Gashi.

Kreu i MKRS-së gjatë “MKRS Reception DokuFest” ka falënderuar stafin dhe vullnetarët e angazhuar për mbarëvajtjen e kësaj ngjarjeje të madhe kulturore.

Ai ka përmendur rezultatet e mëdha të artistëve, krijuesve dhe performuesve tanë, e veçanërisht njerëzve të filmit, të cilët po e promovojnë Kosovën në mënyrën ma të mirë të mundshme në gjithë botën. “Një prej këtyre është edhe ngjarja më e madhe kulturore, siç është festivali ‘DokuFest’, të cilin me plot të drejtë mund ta quajmë edhe një institucion i veçantë i kulturës në Kosovë”.

“E them këtë duke i pasur parasysh rezultatet e këtij festivali, por edhe të filmave tanë gjithandej botës”.

Me këtë rast, ministri Gashi njoftoi se këtë javë kanë marrë vendim që ta dyfishojnë buxhetin e Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Drejtori artistik i DokuFest, Veton Nurkollari, tha se shpreson që Kosova do të vazhdojë të njihet edhe më mirë ndërkombëtarisht përmes filmit.

Nurkollari tha se Kosova ka talente dhe në kulturë dhe art mund të arrihen suksese edhe më të mëdha nëse ka fonde dhe sukseset do të jenë të garantuara.

“Filmi, arti kinematografik, ndikojnë më së shpejti nga e gjithë fusha e artit i kulturës që kemi. Filmi ka depërtuar më së shumti dhe ne kemi pasur kandidatë edhe për çmimin Oscar; filmi që është prodhuar në ‘DokuFest’ ka fituar çmimin më të madh që ndonjë film ka fituar nga Kosova – çmimin Bafta”.

“Kjo është një shenjë që ne kemi edhe talente edhe mundësi dhe kur të i shtohen asaj fondet dhe mundësitë e tjera, unë besoj që suksesi do të jetë i mundur”, tha Nurkollari.

Të ngjashme