Gjendet fosili i “dinozaurit të fundit të Afrikës”

Prishtinë | 08 Maj 2017 | 14:36 | Nga

Në një minierë fosfati në veri të Marokut është gjetur fosili i “dinozaurit të fundit të Afrikës” i cili është zhdukur para 66 milionë viteve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas “Science Daily”, eshtrat e nofullës së dinozaurit janë gjetur në një minierë fosfati në Sidi Chennane në Pellgun Oulad Abdoun të Marokut, kurse përmes një punimi të përbashkët shkencëtarët marokenë, francezë dhe spanjollë kanë gjetur se ato i përkasin dinozaurit të tipit abelizaur që ka jetuar në Afrikë në periudhën e Kretakut.

Nick Longrich nga Universiteti i Bathit dhe lider i ekipit hulumtues, e ka cilësuar si “bingo” zbulimin në fjalë, duke shtuar se më parë në Marok nuk është gjetur fosil i një dinozauri të kësaj periudhe dhe se eshtrat e gjetura mund të jenë mostra e fundit e dinozaurëve që kanë jetuar në Afrikë para zhdukjes masive.

Fosili i “dinozaurit të fundit të Afrikës” që është zhdukur para 66 milionë vitesh thuhet të jetë një provë e rëndësishme mbi përbërjen e ndryshme natyrore të hemisferës jugore të asaj periudhe.

Abelizaurët ishin dykëmbësh, sikurse T-reksët dhe tiranozaurët e tjerë, kishin turinj më të shkurtër dhe më të shtypur dhe krahë shumë të shkurtër. Abelizaurët thuhet të kenë qenë predatorët më të përhapur në Afrikë, Amerikë Jugore, Indi dhe Evropë në fund të periudhës së Kretakut.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme