“Gjermania po e vendos Kosovën në hartën e aktiviteteve kulturore”

Prishtinë | 15 Nën 2018 | 20:58 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori sot pjesë në performancën e artistëve nga Gjermania “TAPE THAT”, komunitet ky që ka për qëllim të shfaqë talentet kryesorë të kësaj forme të artit me shirita që mund të përdoren si një medium artistik, e që u organizua nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë.

Me këtë rast, Kryeministri Haradinaj, tha se kjo ngjarje për të është diçka e re dhe se ndihet mirë që në këtë rast, Gjermania dhe ambasadori Christian Heldt, e kanë sjell në Kosovë një mënyrë të re të të bërit art, i njohur si “Tape That”, duke thënë se kjo është edhe një dëshmi për dëshirën që të Kosova të kyçet në këto trende.

“Besoj se kjo është nxitje edhe për artistët tanë, ne kemi shumë artistë të zot, të mirë. Jam i bindur që edhe në Kosovë do të ketë po ashtu që do të bëjnë këtë lloj arti, por edhe artet e tjera”, tha Kryeministri Haradinaj, duke shtuar se kjo është një ngjarje e mirë, sepse po bëhet përpjekje për kyçjen e Kosovës në të gjitha rrethanat e jetës.

Kryeministri Haradinaj, duke folur për performancën e artistëve gjermanë të rrymës së artit “TAPE THAT”, Cedric Goussanou dhe Nicolas Lawin, tha se shpreson që edhe artistët tanë të gjejnë mënyra të lidhen me artistë të tjerë, pasi sipas tij, shihet se është një dëshirë e Gjermanisë që ta fus Kosovën në hartën e aktiviteteve kulturore që ata e bëjnë, e që është shumë mirë.

Ndërkaq, ambasadori gjermanë në Kosovë, Christian Heldt, falënderoi Teatrin Kombëtar të Prishtinës, Filarmoninë e Kosovës dhe të gjithë të tjerët, duke thënë se ka admirim të madh për njerëzit të cilët, luftojnë për të dhënë sa më shumë qasje në jetën kulturore këtu në Prishtinë.

Ambasadori Gjerman, Christian Heldt, bëri një falënderim të veçantë ndaj Kryeministrit Haradinaj për rëndësinë dhe hapësirën që siç tha ai po ia jep artit.

Të ngjashme