Grida Duma: Vuajtja është gjëja e vetme që na mëson në të vërtetë

Prishtinë | 30 Pri 2017 | 18:17 | Nga

Të artikulosh me teza të qëndrueshme idetë, t’i japësh jetë fjalëve dhe të ndërtosh një bisedë sa serioze, të ndjeshme aq dhe të bukur njëherësh, të bën të ngulesh para ekranit dhe ta shijosh deri në fund të plotë bashkëbisedimin. Këtë ndjesi më la Grida Duma në pritjen e Rudinës në emisionin e pasdites në TVKlan. Ishte një nga takimet më të mira televizive.

Jashtë politikës, Grida, personazh krejt i veçantë sa herë që jep intervista, këtë herë erdhi si femra në karrierë, gruaja shqiptare që përfaqëson, personazhi që me emocionet e saj ndau shijet e vërteta që përkufizojnë jetën e saj, shoqëruar me situata të ndjera, ku ajo kërkoi mirëkuptim, por edhe pëlqim të këndvështrimit sesi e sheh ajo femrën shqiptare në një moshë të caktuar.

Ajo tha që “të gjitha burrat me mend kanë ditur ta vlerësojnë gruan, sepse gruaja është jetë dhe sigurisht për burrat është privilegj të kenë në jetën e tyre, një grua, si partnere, apo si mikeshë”.

0

Cili është orari kur zgjohesh në mëngjes dhe në cilën orë fle? Cila është rutina juaj?

Fle shumë vonë, midis orës 01:30 ose 02:00. Ime më gati më shan shumë për këtë se më thotë se një nga arsyet pse njeriu është mirë dhe duhet të jetë mirë me energji, është të flejë herët. Nuk e arrij dot. Më është bërë edhe mënyrë jetese tashmë. Një lajm, një lexim, shkëpusim diçka, një moment, sepse duhet të ndjekim emisionet politike, sepse janë shtuar tashmë. Të del gjumi dhe vijon ashtu. Nuk zgjohem herët, të them të drejtën. Përpiqem midis orës 08:30 ose 09:00  të jem zgjuar.

Mendimi i parë që ju vjen në mëngjes?

Besoj është rutina. Kafeja, e kam të nevojshme. Qenka me vite Rudinë, megjithëse ne nuk duhet të ankohemi për vite ende, por e kuptoj që nga një pesëvjeçar në një tjetër, fillon njeriu dhe ca detaje i do më shumë. Domethënë një rutinë e vockël paska një rëndësi shumë të madhe. Dikur e anashkaloja plotësisht, edhe ngrënien në orare, edhe mëngjesin, edhe kafen, pija kafe më shumë se ç’duhet. Besoj se këtë e bëjnë shumica e njerëzve, çka është gabim në fakt sepse të gjitha në fund fare, mendoj që njeriu është edhe trup edhe shpirt. Dhe kjo është një balancë. Nëse s’e ndihmon trupi-shpirtin, është një lodhje shumë e madhe.

Preferon të lexosh në mbrëmje, para se të flesh apo ke orare?

Letërsi, pa përmenduar asgjë nga librat teorikë, sepse herë pas here vë re se kam lexuar më shumë libra teorikë sesa letërsi. Gabim i madh. Duhet të bëja ndryshe. E kuptoj sot. Nuk ka asnjë bot e cila nuk lind nga shpirti, lind nga shpirti në fakt. Letërsia ndihmon plotësisht për këtë. Por, lexoj në darkë.

1

Gjithmonë mban një libër në komodinë?

Disa. Është në mënyrën time që të mos e çoj dot një gjë deri në fund, dhe vetëm atë. Dua të shkartis pak shijet e të lexuarit. Njëra mënyrë është sepse mbrohem, dhe kur përfshihesh shumë në një atmosferë të një libri, duket sikur jeton vetëm në realitetin e tij, dhe duhet herë pas here të balancosh.

Libri që je duke lexuar aktualisht?

I jam kthyer “Dashuria në kohën e kolerës” sepse dëgjova që përkthimi që kemi lexuar ne në gjimnaz është shumë më i vogël dhe më i vakët se ai që është në origjinal, nga Mira Meksi. Në fakt më duket sikur nuk e kam lexuar më parë. Ndoshta dhe kjo është gjithmonë aftësia e autorëve të mëdhenj.

Meqë jemi te librat, me ta mund të udhëtosh, mund të shkon nga një cep i botës në një tjetër, mund të përjetosh histori të ndryshme. Meqë libri na çon edhe në vende të tjera, cili është vendi më i preferuar jashtë Shqipërisë?

Nuk ia kisha pranuar vetes. Kam thënë shpesh Nju Jorku, sepse atë e kam prekur edhe nga pikëpamja sesi bëhet njeriu ai që është Nju Jorku, ëndrra amerikane. Por në të vërtetë, thellë, brenda vetes time, ndoshta është hera e parë që e them me zë, është Italia, zona e Toskanës, një gjë që më ka bërë të ëndërroj që fëmijë dhe kur e kam prekur, e kam ëndërruar nga fillimi.

Po pse?

Besoj se që ne jemi pjesë e kulturës që në të cilën rritemi. Unë kam lindur në Durrës, kam jetuar me televizionet italiane, me këngët italiane, mendoj që edhe ëndrra amerikane e botës së bukur është pjesa e Toskanës dhe e Italisë. Të gjithë amerikanët ëndërrojnë të shkojnë atje. Çdo pikë e asaj zone është përrallë, është histori, është qytetërim, është harmoni, është qetësi, është një mrekulli në të vjetrën e vet. Po e preke, do të kishte qenë mëkat. Një herë kam arritur të shkoj, shumë pak dhe shpresoj të shkoj sërish.

 

Librat më të dashur të Grida Dumës

“Pa fëmijëri” e Azis Nesim

“Aventurat e Çipolinës” e Xhani Rodari

“Kujtimet e një evropiani” Monografi e Stefan Cvajg

“Rrno për me tregue” e At Zef Pllumi

“Revolta e Atlasit” e Ayn Rand

“Kur qau Niçja” e Irvin D.Yalom

Një nga shprehjet më të preferuara “Lexo për të mos qenë vetëm”

***

Cila është ngjyra e preferuar e Gridës?

Kam qenë midis portokallisë dhe lejlasë, por herë-herë them lejla më shumë. Unë jam përgjithësisht për ngjyrat e ngrohta, megjithëse tani e kuptoj që përveç ndjesisë që të jep e bardha nuk ta jep asgjë tjetër.

Sot je veshur me këmishë të bardhë, e preferuara. Në veshjet e tua e preferon lejlanë apo e ke thjesht ngjyrë të cilën të pëlqen ta shikosh, ta shijosh?

Është e vështirë. Më pëlqen ta shikoj te këpucët, te çantat, por është e vështirë si ngjyrë për ta pasur dhe për ta kombinuar mirë se përgjithësisht është një ngjyrë që shkon me të zezën, në stilin në të cilin unë duhet të jem veshur në këtë sens.

gridaNgjyra e preferuar e jotja në veshje?

Padyshim e zeza, ose më mirë atë kam zgjedhur. Nuk e dija por përfundojmë gjithmonë tek e zeza, ndoshta është shenjë pasigurie. Nuk e di. Gjëja më e mirë që duhet të bëjë një njeri kur thotë diçka në publik, është ta heqë mendjen nga sikletet e “a jam mirë” apo “a po shfaqem mirë” dhe të përqendrohet tek ajo që duhet. Dhe për këtë arsye, e zeza është shumë siguruese.

Po stili i veshjes, më i preferuari?

Përgjithësisht kostume. Së fundi kam filluar të vesh paksa pantallona, gjë që nuk e bëja asnjëherë. E kisha problem të madh, por kostumi me një natyrë paksa më të ç’tensionuar, dhe jo kostumi me kopsa, a klasik etj, mirëpo një kostum midis bluzës dhe xhaketës.

Ke shumë kostume në gardërobën tënde?

Mjaftueshëm kam. Përgjithësisht kam kostume, po.

Në përgjithësi i blen veshjet apo preferon t’i qepësh?

Për një periudhë të caktuar gjeta një lloj rehatie me prindërit në Amerikë që porosisja, etj. Fatkeqësish në tregun shqiptar nuk arrij të gje atë që dua, kërkohet kohë. Përgjithësisht përdor dhe gjërat një cik më të gjata se gjuri. Ne nuk kemi ende në trend në dyqanet tona këto. Ka edhe një gjë tjetër që kur hyn në dyqanet tona, ndoshta është një mini kritikë, nuk jemi dot rehat ashtu siç jemi po themi në dyqanet jashtë, që të zgjedhim aq sa duhet të mos na imponohen. Përgjithësisht ne ofrojmë shumë nëpërmjet një shërbimi që ndoshta e mendojnë më të mirë, por unë e dua një lloj privatësie.

 

***

Filmat e preferuar të Grida Dumës

Shadow lands

Gone with the wind

The godfather

Amadeus

Ju pëlqejnë filmat me fund të lumtur apo me një shtrëngim në zemër?

Të dytët më shumë në raport me të parët. Nuk besoj që kemi ardhur në jetë për të qenë të lumtur. Njeriu duhet ta tentojë por në njërin prej atyre filmave “Shadow lands” sheh hijet e Tokës, ka një pasazh aty që personazhi kryesor thotë: pjesë e hidhërimit sot është lumturia e nesërme, pjesë e hidhërimit të lumturisë së nesërme, dhe kush tha që pasi ai humb dashurinë e jetës dhe shfaqet në një audiencë kishe, (është profesor Oksfordi), kush tha që Zoti na do të lumtur? Ndoshta ai na do të vuajmë për të kuptuar sa është jeta e rëndësishme. E mendoj që, vuajtja kështu është. Ndoshta edhe biologjikisht vuajtja shënon tek njeriu eksperiencë, gjurmë. Lumturia është shumë fluturake. Dhe në fund, Viktor Frenklin është një nga psikologët që pëlqej shumë. Ai thotë: duhet të mësosh në jetë, në një moment të caktuar , lumturinë që vjen nga dhimbja. Është e hidhur, por të shijosh arsyet se përse ke ardhur në jetë, dhe duhet të sakrifikosh dhe duhet të vuash jo në sensin që njeriu duhet ta ketë këtë në kulturë që duhet të jetë i përvuajtur, apo dhe viktimizues, kjo është krejtësisht tjetër gjë. Por duhet të kuptosh që ka qëllime të mëdha tek momenti kur ne vuajmë, sepse vetëm vuajtja është gjëja e vetme që na mëson në të vërtetë.

filmat

Cili është moment më i vështirë në jetën tënde?

Gjurmë të pashlyeshme dhe traumë, momenti kur gjyshi, njeriu që simbolizoi burrin në jetën time. Vdiq kur unë kam qenë 13 vjeç. Për fatmirësi më ka lënë me kujtime përralle, sepse sigurisht ai mund të vijonte jetën po të ishte e mundur, dhe ne e dimë shumë mirë që sa më gjatë të ecësh në jetë, aq më pak iluzione ke, qoftë edhe për njeriun që e adhuron në njëfarë mënyre. Ai vdiq herët, fatkeqësisht, por mua më la kujtime të një rritjeje së paku në sjellje le të themi kështu, si një princeshë me të. Jo nga pozitat e përkëdheljes, nga pozitat sepse besoj qëndron në themelin e vetëbesimit tim. Domethënë, nuk ka si ty! Kur unë përkëdhelesha dhe thoja, s’ka si unë, ka plot si unë, po nuk k një si ti tani që po tund këmbët. Dhe nuk e harroj atëherë atë moment. Ishim në verë, jashtë në oborr, që po tund këmbët kështu dhe kërkon nga unë që ta përkëdhel me se s’bën. Domethënë, çdo gjë që ishte mëse e zakonshme në sjelljen time, ai kishte aftësinë të më bënte të ndihesha speciale.

Ishte njeriu i parë i afërt i juaji që me të cilin ti njohe vdekjen?

Vuajtjen e vdekjes. Po, ishte njeriu i parë dhe ajo që ende sot nuk e zgjidh dot, ndoshta për shkak të faktit që ne fatkeqësisht nuk jemi rritur shumë me kulturën fetare, e cila të çliron nga disa dhimbje, sepse ti realisht beson dhe nuk kërkon të vetëmësohesh a ka apo nuk ka diçka të përtejme. Gjëja më e papranueshme në vdekje është të pranosh hiçin. Nga një njeri që e kishe dje gjithçka në jetën tënde, dhe ishte një kolonë e sigurisë, siç ishte ai për mua, në një moment të caktuar ai nuk është fare. Dhe hiç-i është një gjë që ne nuk e pranojmë dot. Mund të pranojmë çdo gjë, por hiç-in njeriu nuk e pranon dot. Gjithçka ka shkuar kot, gjithçka ka qenë në boshllëk, gjithçka është në asgjë, dhe vetë asgjë-ja është e papranueshme për natyrën njerëzore.

Të është dashur t’i bësh këto refleksione në atë moshë, 13 vjeç?

E kam përjetuar si vetmi të madhe. Prindërit e mi janë martuar herët dhe unë jam fëmija i parë i tyre. Besoj që derisa unë jam bërë pesëmbëdhjetë vjeç, ata ende nuk e kishin kuptuar sesa shumë e nevojshme është të krijosh një balancë midis jetës së tyre dhe fëmijëve. Ata kanë qenë të dy dhe janë ende, dhe unë i them nuk i del një oqean për t’i mbushur me jetë, sepse janë shumë energjikë shumë më tepër. Kanë bërë një jetë shumë të këndshme për kohën. Domethënë edhe udhëtonin brenda Shqipërisë, përpiqeshim që atë shtëpinë e vogël private që kishim ta kishim sa më bukur. Të dy ishin arrivistë në natyrë. Ime më është violiniste, im atë është inxhinier. Në atë botën e atëhershme shqiptare. Ata përpiqeshin të ishin shumë mirë. Njerëz egoistë në kuptimin e mirë të fjalës. Ambiciozë. Këta njerëz po të bashkohen edhe bashkë, ishin të dy njësoj. Kur bashkohen bashkë bëhen dy egoizma në një vend dhe do një fuqi të madhe të përballosh jetën sidomos po t’i shtosh edhe faktin fizik që ishin të dy shumë estetikisht të bukur. Të gjitha këto e komplikonin paksa atmosferën mes tyre. Besoj që kjo i ka bërë që të jenë akoma, herë pas here unë i kam zili ,sepse ata arrijnë të dashurohen sot dhe të xhelozohen njësoj, gjë e cila mendoj vetëm tek pak çifte ndodh përgjatë gjithë jetës.

Kanë qenë për ju edhe në momente të vështira një model jete dhe dëshire për të jetuar jashtëzakonshëm?

Për të përballuar atë që mua m’u duk sikur isha në një vetmi të madhe, megjithëse sigurisht nuk isha.

Do t’i rikthehemi filmave, për të pyetur se cili është aktori i preferuar?

Janë disa, por nëse do më duhej të zgjedh është Antony Hopkins. Ai është një aktor që ka një stil të personazheve, është brenda një game, por ai ka një mimikë dhe një gjestikulacion dhe flet përpara edhe pa pasur shprehinë në sy, edhe pas pasur shprehinë në fytyrë. Domethënë është një bashkim midis kulturës angleze, britanike, dhe asaj amerikane, dhe unë e kam adhuruar gjithmonë kur njerëzit flasin shumë më tepër me heshtje. Ato veprimet e vogla, ato detajet që na ndodhin dhe vëmendja për të pasur dhe për të kuptuar tek tjetri, sidomos tek partneri, gjëra fare të vogla, të cilat kur dikush na i shikon, edhe ka vëmendje për ne, neve e kuptojmë realisht që na do. Këtë lloj forme të të folurit me heshtje, Antony Hopkins e ka shumë të sofistikuar.

Ndërrojmë atmosferë, kthehemi në Shqipëri, në realitetin e përditshëm. Grida Duma dhe aktiviteti fizik. Çfarë marrëdhënie ke me sportin?

Shumë të keqe tani.

Por je shumë në formë tani, mos ndikon ushqyerja?

Vetëm kujdesi, e para, e dyta, megjithëse unë kam pasur oscilacione në peshë herë pas here, por ajo që kuptoj është ngrënia me orare në orë të caktuara, e cila ndihmon si fillim më mirë se një dietë. Sepse mëson trupin që të ketë metabolizëm të qëndrueshëm. Se ne bëjmë gabime të mëdha që hamë shumë rrallë gjatë ditës, dhe trupi nuk mësohet të metabolizojë, ta gërryejë apo të shpenzojë energji nëpërmjet ushqimit. Ndoshta për shkak të mbilodhjes nuk arrij ta përballoj dot më të rri pa ngrënë. Dhe kjo më ka bërë, e detyruar, të filloj të ha gjatë ditës herë pas here nga pak. Dikur nuk e kisha kulturë që të merrja diçka me vete. Tani e kam bërë kulturë që të marr diçka me vete në zyrë, të mbaj diçka në makinë, që mos ta lë.

Për shembull çfarë?

Biskotat pa kripë, kumbullat e thata, arra, që mund të mbahen në makinë pa u prishur. Duhet pirë ujë shumë. Edhe unë e ndjej atë që kur dikush lodhet mendërisht ka një lloj ngarkese mendore, duhet të pijë ujë sa më shumë se është një shpëlarje acidesh. Këto më kanë ndihmuar. Sa i përket aktivitetit fizik, notin e dua shumë. Shumë rrallë arrij ta bëj. Por kam një biçikletë në shtëpi dhe pistë e përpiqem të bëj aq.

Marrëdhënia me notin?

Stili bretkosë më pëlqen, është më feminil. Më pëlqen të zhytem në thellësi pak të vogla si dikur garat për fëmijë, kap rërën. Në det, kur eci paksa, ose kur notojmë paksa më larg, edhe shkëputem, është ambienti i natyrës më perfekt për mua për t’u lutur. Është një bashkim midis madhështisë së ujit dhe qiellit, e lutem aty. Mendoj që aftësia jonë për t’i thënë gjërat dhe për t’i nxjerrë dëshirat nga vetvetja i bën mirë vetes, i bën mirë edhe thirrjes së një energjie që duam. Edhe për ata që nuk besojnë, edhe për ata që besojnë, në të dyja rastet kjo lloj energjie i bën shumë mirë. Duhet të lutemi!

deti

Të vjen si nevojë për këtë lloj komunikimi të brendshëm dhe thua, kam nevojë të bëj not edhe nisesh dhe gjen atë momentin e qetësisë apo nisesh thjesht pa, dhe kur je aty të vjen natyrshëm kjo situatë për të reflektuar kur je në mes të detit? Apo nisesh enkas për këtë qëllim?

E ndjej të brendshme atë, sapo gjej paksa hapësirë pa tim bir. Më vjen organike. Ndoshta sepse nuk e kam kuptuar që edhe fëmijë e kam pasur këtë lloj marrëdhënieje me detin. Një lloj marrëdhënie ç’tensionimi që të largon dhe duket sikur je e ç’tensionuar nga çdo gjë tjetër. Vetëm bashkimi midis qiellit dhe detit ka diçka mbinatyrore. Vetë natyra është e mbinatyrshme.

Sa gjatë e mban frymën në ujë?

Nuk e di saktë, por duhet gjatë sepse besoj e kam atë teknikën e zhytjes. Unë ende sot e shoh njerëz që mbajnë hundën kur zhyten. Gjë që nuk e kuptoj dot.

Po për të notuar shkon gjatë?

Besoj mbi një orë. E dua shumë.

ushqimi-detit

Marrëdhënia me ushqimin e detit?

Gjithçka e detit më shijon edhe e dalloj përnjëherë nëse është e detit. Është peshku i rezervuarëve, etj. I mirë është edhe ai, por ngaqë jam mësuar me atë aromën më duket sikur po ha një gjë që nuk duhet fare. Një mish më pëlqen më shumë sesa një peshk që nuk është i freskë, ngaqë jam mësuar me atë shije absolutet të detit. Im atë e ka pasion marinën. Ata jetojnë atje dhe ai pas shumë vitesh arriti të bënte realitet një lloj kënaqësie të vetën. Ai ka një barkë me vela 13 metra dhe besoj që është një çështje e trashëguar.

Ty vetë të pëlqen t’i gatuash prodhimet e detit?

Të detit të them të drejtën jo. Në kuptimin, po të jenë diçka me salcë, bëhet me makarona është e thjeshtë, po sa i përket peshkut, në njëfarë mënyre duhet një çikë hapësirë që mos të jetë në shtëpi. Atë e porosisim ashtu.

Pija e preferuar në tavolinë?

Gustatori i verërave im atë ka qenë gjithë jetën dhe është. Na mësoi paksa me pak verë. Po nuk qe një verë e mirë, unë vuaj nga koka menjëherë. Por nuk pëlqej një pije tjetër përveç verës.

E kuqe, e bardhë, bën diferencë?

Të bardhën preferoj, e kuqja ka pak taninë, edhe ajo ma shkakton në stomak atë gjë po nuk qe e mirë. Por nuk pi shpesh.

Do të kalojmë te muzika. Cila është kënga e preferuar e jetës tënde?

Më kujtohet në shtëpinë time, e fëmijërisë, ka qenë një vilë nga ato që quheshin italiane, dhe dëgjohej Sanremo. Unë jam rritur me dinamikën e këngëve të Rafaella Carra, por kënga e parë që më ka lënë gjurmë është “Just take my hand is paradise”, as nuk e kujtoj këngëtaren. “Vetëm më kap dorën dhe është parajsë”. Por kam qenë shumë e vogël atëherë, dhe arsyeja për të cilën u dashurova me atë këngë është sepse halla ime, e cila nuk është më e madhe sesa unë, një grua e bukur, edhe një vajzë shumë e bukur atëherë, bënte jetën e saj rinore, dhe unë kuptohet, i kisha sytë tek ajo për çdo gjë, për veshjen, për mbajtjen, etj. Dhe kjo ishte një nga këngët që ata vendosnin kur mblidheshin në grup dhe mua më dukej sikur merrja pjesë, në një jetë tek e cila s’kisha shkuar akoma, por po të merrje pjesë, dukej sikur ishe rritur ndopak. Dhe kjo ishte e para.

toskana

Këngën e bukur e bën jo vetëm melodia, teksti, por edhe kujtimet, koha në të cilën i ke përjetuar.

Këngë të bukura kam pafund dhe nuk di të zgjedh. Vijoj të mbetem te këngët italiane. Për shembull m’u kujtua sa e kam pas pëlqyer Massimo Ranierin me “Se bruciasse la citta” (Nëse do të digjej qyteti). Pse më ka pëlqyer si poezi? Është shumë e thjeshtë si poezi. Por është shpesh për të kuptuar se sa rëndësi kanë gjërat, se njeriu duhet me imagjinatë që në një moment të ndalojë dhe të thotë, çfarë bën në momentet ekstreme, në momentet e krizës. Dhe ai teksti, nëse do të digjej qyteti, unë do të vija të shpëtoja ty, do kaloja zjarrin për të parë edhe një herë ty, do të thotë ju, thjeshtësisht romancë naive. Nganjëherë gjërat e thjeshta fare, por që çojnë në një imagjinatë që mund të jetë e vërtetë për secilin nga ne, cilin individ do shpëtoje të parin në qoftë se çdo gjë do të digjej, sigurisht që kush është nënë shpëton fëmijën, dhe kjo nuk ka asnjë dyshim, por gjithsesi për të kuptuar se cilët janë njerëzit e shtrenjtë, shkon në atë imagjinatë dhe t’i ndërton.

dali

Artisti i preferuar i arteve figurative?

Salvador Dali. Ekspresionist, nuk e di nëse e quajnë kështu profesionistët e fushës, por për mua ka shprehi të madhe. Domethënë, ai është në gjendje të bëjë bashkë një kokë njerëzore me një re, dhe ta vendosë kokën sikur është e gjitha një trup më vete. Dali bën bashkë objekte të cilat i lidh shpirti, nuk i lidh struktura. Është i egër, i rëndë, por është ekspresionist, dhe megjithëse është i egër në të vërtetën e vet, megjithëse të imponon, kështu është bota për mua, komplet e ç’orientuar, dhe unë jam Zoti, por ajo është rrëqethëse, forca që ai ka për ta ribërë botën, duke kombinuar gjëra që ne nuk do ta shkonin kurrë në mendje. Dhe në një moment të caktuar ti ndalesh dhe thua: Po bota mund të ishte dhe kjo! Kjo lloj force me të cilën ai e bën, është magjepsëse. Megjithëse, kur kam lexuar paksa nga jeta e tij, kam refuzuar ta vijoj librin, për nga përmasa në të cilën ai është me shumë personalitet. Dashuron vetveten, do ta çojë tjetrin në ekstremin negativ, tregon momente në të cilat shtyn një bebe me karrocë, vetëm të shikojë se çfarë do ndodhë, rrezikun për jetën. Është i frikshëm në personalitetin e tij, por ndoshta gjenitë vijnë me këto kosto.

thatcher

Figura në politikë që frymëzon Grida Dumën?

Nga gratë pa diskutim është Thatcher, por nuk është çështja që më frymëzon, sa është çështja që përpiqem të gje pika që arrij ta ndjej. Thatcher-i duke qenë se vjen në një shoqëri shumë të strukturuar siç është Anglia ose Britania e Madhe, vjen nga një shtresë e mesme, është një individ i cili ka ditur edhe të pastrojë dyqanin e prindërve të vet, dhe racionaliteti me të cilin ajo vazhdon ta ndjekë jetën e vet dhe qëllimet e veta, është i adhurueshëm në vullnet. Ka një moment tek “Iron lady”, i cili ishte një sekuencë e vogël që ajo do fitonte çmim vetëm për atë, është kur ajo i drejtohet një gazetare,  cila i thotë: çfarë mendoni për… Thatcher ndalon, është në një moshë të thyer, etj, ndalon dhe i thotë: Ky është problemi me kohën tuaj. Ju të  gjithë jeni një çështje, shije, mendime. Çështja është, çfarë bëjmë?  Kujdes nga ajo që bëjmë. Është gruaja dhe figura politike, e cila hodhi poshtë të gjithë mentalitetin që gjërat kanë dy-tre matës ose dy-tre standarde. Ne jemi ajo që bëjmë. Ajo që bëjmë, është ajo që na përcakton.

Për gratë shqiptare cili do të ishte mesazhi juaj?

Duke folur si grua, por edhe paksa si pjesën time ta studioj shoqërinë, edhe rolin e gruas. Është folur shumë, roli i gruas, me moralizma herë pas here të tepruara. Unë gjithmonë besoj se çështja e gruas është një çështje që fillon me rrënjët ekonomike. Unë jam e bindur që nëse gruaja ka fuqi ekonomike, nuk ka nevojë për asnjërën nga këshillat që ne japim në mënyrë moraliste. Mendoj që në shumicën e rasteve gruaja është heroike, sepse është një motor fantastik për të mbajtur tre-katër dimensione njëkohësisht. Mendon edhe si të veshë partnerin, mendon në çdo gjë, sesi të ndajë të ardhurat. Është e sakrifikuar. Por, e vetmja gjë që do të kisha unë një lloj reflektimi, duke filluar edhe nga vetja, nuk duhet kthyer në normë sakrifica. Domethënë, nuk duhet më që gruaja shqiptare të konkurrojë duke sakrifikuar. Duhet në një mënyrë apo jo të shkëlqejë vetveten. T’i bëjë të gjithë këto. Gjithçka që e ndjen, jo si detyrim, si dashuri deri aty ku e ndjen. Nuk duhet të jetë më e obliguar që të bëjë gjithçka, thua se ka lindur me këtë detyrim.

Sakrifica nuk duhet të jetë e gjinisë femërore.

Nuk ka pse. Është një gjë që ne e shikojmë edhe në veshje, edhe në flokë. Gratë për shembull, vjen mosha 50-60 i presin flokët shkurt. Një gjë që nuk duhet ta bëjnë.  Domethënë, duhet të vazhdojnë të jenë po aq gra. Nuk ka nevojë t’i tregojmë askujt që jemi të mira se sa sakrifikojmë. Le t’i tregojmë kujtdo që jemi të mira se duhet të na duan. Dhe ne dimë të shkëlqejmë. Edhe duhet të vijnë drejt nesh dhe s’duhet të shkojmë drejt tyre. Me shumë emocion e them. Më vjen keq për vajzat e reja në njëfarë mënyre. E shikoj që tentojnë shumë të shfaqen estetikisht bukur. Lodhen shumë. Më pak po të lodheshin për këtë, ta bëjnë atë për kënaqësi të vetën plotësisht, vetëm mos ta bëjnë që të jenë në tregun ose në tenderin për t’u pëlqyer nga dikush.

Gruaja në vetvete është jeta. Është jeta totalisht. Kush ka qenë burrë me mend, po s’ka mendimtar, s’ka shkrimtar, po nuk ka njeri, një burrë që unë e quaj xhentëlmen, që nuk e ka kuptuar që jeta lind nga gruaja. Nëse ajo nuk ta jep, qoftë edhe në dashuri, qoftë edhe në miqësi, qoftë edhe si grua, qoftë edhe si shoqe, burri është shumë i vagët në raport me botën e gruas, e cila nuk ka ditur gjë tjetër në jetë përveçse të balancojë, të ngrohë, të ndihmojë, dhe përsëri është gjykuar më shumë. Kudo është gjykuar më shumë. Kështu ka qenë historia njerëzore, nuk ka nevojë ta themi këtë me fatalizëm. Po duhet të vijë një moment, dhe është një moment për të thënë që: jo ajo gjykohet sepse është gjithë fokusi i jetës te ajo. Jo, gjykohet se ajo është gjithë dëmi i jetës tek ajo.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme