Grupi i Artistëve, Hulumtuesve dhe Kuratorëve të Pavarur kritikon menaxhimin e fondit emergjent për kulturën

Prishtinë | 07 Qer 2020 | 14:24 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Grupi i Artistëve, Hulumtuesve dhe Kuratorëve të Pavarur në Kosovë ka mbajtur konferencë për medie rreth kërkesës bërë MKRS-së që të përfshihen në përpilimin e kritereve për shpërndarjen e Fondit Emergjent për Kulturë, Rini dhe Sport.

Artisti Nol Sahatçiu ka thënë se do të kërkojnë llogaridhënie për dështimin në  shpërndarjen e fondit kulturë në vlerë prej 5 milionë euro, raporton Ekonomia Online.

“Do të kërkojmë llogaridhënie në lidhje me dështimin për shpërndarjen e fondit për kulturë në vlerë prej 5 milionë euro, sepse institucionet janë deklaruar se kanë alokuar 5mln euro por ata nuk janë shpërndarë. Kërkojmë shpërndarjen e këtij fondi”, tha ai.

Donjetë Murati, hulumtuese, ka thënë se me 14 maj kanë pasur një takim me ministren e MKRS-së, Vlora Dumoshi, në të cilin edhe janë njoftuar për problemet në alokimin e fondit emergjent për shkak se nuk është ratifikuar në kuvend.

“Ne kemi dërguar shkresë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me 6 maj ku kemi kërkuar që me u inkuadrua në grupin e punës që ka qenë duke u themeluar nga kjo ministri për përpilimin e kritereve për shpërndarjen e fondit emergjent. Kështu kërkesa jonë në atë kohë ka qenë e thjeshtë për shkak se ka qenë duke u ndarë fondi sepse ashtu është paraqit në medie dhe në kumtesa zyrtare të ministrisë. Ne kemi kërkuar me u përfshi sepse na u ka dukë e domosdoshme që dy përfaqësues të artistëve të pavarur në përpilimin e këtyre grupeve, dhe pastaj me 14 maj jemi ftuar për takim me ministren Dumoshi dhe aty na kanë treguar për problemet në alokimin e fondit emergjente për shkak se nuk është ratifikuar në Kuvend edhe pastaj për shkak se është kërkuar nga Ministria e Financave që këta ti rialokojnë buxhetin përbrenda ekzistues të ministrisë së kulturës por ajo nuk ka qenë e mundur për shkak të borxheve paraprake në ministrinë e kulturës por edhe të rrezikimit të programit vjetor”

Ajo ka thënë se iu është aprovuar kërkesa që të jenë të inkuadruar në grupin punues që ka qenë duke e themeluar MKRS-ja, në rast se gjenden 1 milion, mirëpo ajo thotë që më prej asaj kohë nuk kanë marr asnjë përgjigje.

“Në atë takim na kanë thënë se janë duke tentuar me  gjet një zgjidhje tjetër përbrenda buxhetit ekzistues dhe që kanë me mbajt një takim dhe kërkesa jonë është aprovuar që edhe ne të jemi pjesë e atij grupi në rast se 1 milionë gjinden, dhe prej asaj kohe ne nuk kemi marr përgjigje dhe s’kemi marrë ndonjë njoftim publik, tha ajo.

Mes tjerash Murati ka thënë se duhet të diskutojnë brenda grupit për hapat e mëtutjeshëm që do ti marrin.

“Ne jemi duke punuar vazhdimisht ku deklaratën e 6 majit e kanë nënshkruar 155 punëtorë në art dhe kulturë që janë artist të pavarur, dhe me gjasë duhet të diskutojmë përbrenda grupit se çfarë hapa më tutje duhet me marr dhe kjo nuk është për me u injoru tash më sepse ne i kemi marr disa hapa deri tash”, tha Murati.

Të ngjashme