“Hamleti simbas Horacit” me parodi heq perden e tragjedisë

Prishtinë | 11 Qer 2018 | 09:14 | Nga

Krejt ata që ia mësyjnë Teatrit Kombëtar të Kosovës për të parë “Hamletin simbas Horacit” do të dalin prej aty pa e parë tragjedinë që secilit i shkon ndërmend sa herë përmendet emri i princit a mbretit të Danimarkës.

Në këtë shfaqje mundësia është të shihet skenari i mundshëm i asaj që ka çuar në tragjedinë e shkruar nga William Shakespeare midis viteve 1599-1602, shkruan sot “Koha Ditore”.

Me tekst të Ag Apollonit e regji të Ilirjan HImajt, shfaqja që është dhënë premierë të premten mbrëma, në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar, hyn në ndërdijen e personazheve. Parodia shkon deri në atë masë, saqë Hamleti (Shkëlqim Islami) pi edhe hashash. Bile tregon se hashashi është tymosur nja 1500 vjet para Krishtit. Midis komedisë, mjuziklit e deri në përmasat e një spektakli të filmave të animuar, personazhet kryesore të Shakespeares “zbresin” me këmbë në tokë.

Autori i dramës që kishte fituar çmimin “Katarina Josipi” për vitin e kaluar, Ag Aplloni, ka thënë se “Hamletin simbas Horacit” e ka strukturuar si një hipertekst dramatik, të ndërtuar sipas poetikës së metateatrit.

Regjisori Ilirjan Himaj ka thënë se nuk beson që është vështirë të “shitet” “Hamleti” në versionin e tij origjinal, por as kur kemi të bëjmë me një iniciativë për të sjellë një version të ri apo të mundshëm të ngjarjes.

Shkëlqim Islami (rolin kryesor) në këtë shfaqje luan bashkë me aktorët Agron Shala, Valina Muçolli, Besëlidhje Bytyçi, Labinot Lajçi e Kreshnik Malushaj…

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme