Hapen tek liqeni mini-bibliotekat e para në Shqipëri. Kumbaro: Rrojmë dhe pa Nobel (Foto)

Prishtinë | 16 Tet 2016 | 12:01 | Nga

Ministrat lexojnë bashkë me të rinjtë dhe dhurojnë libra nga bibliotekat e tyre
Nën kujdesin e veçantë të Ministrisë së Kulturës, në kuadër të Fushatës Kombëtare të Leximit, sot janë hapur mini-bibliotekat e para në Tiranë.

Vendi i zgjedhur për këtë nismë të veçantë ka qenë parku i Liqenit Artificial, ku të gjithë janë bërë pjesë e konkursit të mini-bibliotekave kreative dhe leximit në natyrë.

Publikut të pranishëm, ku shumica ishin fëmijë dhe të rinj, i janë bashkuar edhe disa nga ministrat e qeverisë. Bashkë me ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro pjesë e këtij aktiviteti ishin edhe Ministrja e Arsimit, znj. Lindita Nikolla, Ministrja e Inovacionit Milena Harito, David Muniz, Zv. ambasadori amerikan, Rayan Robert, i zyrës së marrëdhënieve me publikun si dhe Blendi Gonxhe, Drejtor i Agjenisë së Parqeve dhe Rekreacionit.

E kthyer tashmë në një traditë sa herë Takohemi për një libër, ministrat dhe të rinjtë kanë lexuar pjesë nga autorët e tyre të preferuar. Ministrja Nikolla sërish solli një poezi të Agollit, të cilin e ka ndër të preferuarit e saj, ndërsa Kumbaro kishte zgjedhur një pjesë të veçantë nga “Kafet në Rostand” të Ismail Kadaresë, për çmimin Nobel, kandidat për të cilin Kadare ishte edhe këtë vit.

“Shpresa është e kotë. Një qetësi para furtune. Dhe ja, ia shkrep diku…Do të gjendet një shkas, një gazetë, një polemikë, gjysmë e shuar dhe gjithçka do të rifillojë si çdo vit. Çmimi Nobel këtë herë…

…. Duam Nobel. E duam se s’bën. E meritojmë. As që pyesim për të. Hë, hë s’pyesim? Atje na rri mendja. Do të na i japim me një këmbë. Kurrë mos e dhënçin! Do ta japin se s’bën. More s’e japin, kaq ta bëjmë dhëmbin. Ky i yni e ka fajin: nuk del t’iu thotë: s’e dua dhe pike. Po prit, mor zotni, si të thotë s’e dua, kur s’ia jep kush? Ashtu të thotë:në ju dhimbset aq fort, mbajeni për vete. Rrojmë dhe pa Nobel.”

“Little free library-t”e para u krijuan bashkë me këndin e leximit në një hapësirë tërësisht ekologjike nga U.S Embassy Youth Coucil. Grupi i të rinjve të ambasadës preferoi të mos marrë pjesë në konkurs, por vetëm dha një shembull sesi këto mini-biblioteka mund të funksionojnë, ashtu siç ndodh gjerësisht edhe në SHBA ku janë të regjistruara 44.000 të tilla.

“Little Free Library në Shqipëri” nën moton: Ngri një bibliotekë të vogël për të gjithë, fito një bibliotekë të madhe për vete.Konkurs mbarëkombëtar që nxit përhapjen në Shqipëri të Minibibliotekave Kreative. Kush krijon minibibliotekën më kreative do të fitojë një pako me libra për pasurimin e bibliotekës së tij. Projekti ka nisur në Tetor dhe ceremonia e mbylljes së konkursit do të jetë në javën e parë të dhjetorit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme