Hapet ekspozita me dorëshkrimet e papublikuara të Pjetër Bogdanit

Prishtinë | 27 Dhj 2019 | 12:51 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në shënimin e 330-vjetorit të vdekjes së Pjetër Bogdanit, është hapur ekspozita “Cuneus”, ku janë ekspozuar libra e artikuj nga koleksionet e bibliotekës dhe dorëshkrimet e papublikuara deri më tani të Bogdanit, raporton Ekonomia Online.

Në këtë ngjarjes, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Fazli Gajraku, tha se Pjetër Bogdani ka qenë një ndër figurat më të rëndësishme të popullit shqiptar.

“Njëri prej figurave me të rëndësishme të hapësirës dhe shërbyes fetar e dijetar i madh që me veprën e vet sjell për të kuptuar se kush jemi e nga vijmë. Veprat e Bogdanit nuk janë veç predikim për fe, por ato zbulojnë mbijetesën e kulturës shqiptare në kohë kur identiteti shqiptar kishte filluar të lëkundet. Ekspozita “Cuneus” përbëhet me libra dhe botime origjinale dhe botime e gazeta të shkruara për Pjetër Bogdanin”, tha Gajraku.

Ipeshkvi i Kosovës, Don Lush Gjergji tha se ky vit është viti i Bogdanit i cili ishte udhërrëfyes i shekullit XVII.

“Ky vit ishte viti i Bogdanit dhe kjo figurë është udhërrëfyes i shekullit XVII. Bodganin e kemi njohur si autor i çetës së profetëve. Por Bogdani nuk është vetëm autor, ai ishte njeriu që e pasqyroi më së miri situatën kombëtare fetare e shoqërore të popullit tonë. Mbi 200 letra e ndriçojnë shekullin e XVII. Përpos Bogdanit kemi shumë pak burime të asaj kohe sepse burimet tjera janë turko-otomane ose serbo-sllave. Ka ardh koha që të krijohen grupe të ndryshme të studiuesve për të krijuar letra e vepra”, tha Don Lush Gjergji, raporton Ekonomia Online.

Pjetër Bogdani shquhet jo vetëm si ipeshkëv i lartë, por edhe si atdhetar, dijetar e letrar që dha kontribut të vlefshëm në teologji e në përpjekje për çlirimin e vendit nga zgjedha osmane, për zhvillimin dhe përparimin e kulturës së shqiptarëve.

Më 6 dhjetor të vitit 1689 vdiq në Prishtinë, nga epidemia e murtajës, personaliteti i shquar i Kishës dhe kulturës , ipeshkvi i jashtëzakonshëm imzot Pjetër Bogdani. Prift, ipeshkëv, kryipeshkve, teolog e filozof nga Hasi (Krahinë e lashtë), që shtrihet në Shqipëri dhe Kosovë.

Me veprimtarinë e tij misionare, kishtare, shoqërore, kulturore dhe politike 40 vjeçare, sidomos me rolin që luajti si udhëheqës i kryengritjes çlirimtare të vitit 1689 dhe me kryeveprën e vet teologjike “Cuneus Prophetarum De Christo Salvatore Mundi, Et Eius Evangelica Veritate”,  apo sipas përkthimit të françeskanit At’ Justin Rrotës “Çeta e profetëve”, imzot Pjetër Bogdani është quajtur pararendës i hershëm i lëvizjes së rilindjes shqiptare e teolog i shquar.

Të ngjashme