Hapet ekspozita “Të rinjtë për trashëgiminë”, ekspozojnë punimet edhe fëmijët nga komunitetet

Prishtinë | 25 Jan 2018 | 12:30 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Është hapur ekspozita “Të rinjtë për trashëgiminë”, ku u prezantuan punimet e 29 nxënësve nga katër shkolla – “Ditët e Minatorit” nga Kishnica, “Kralj Milutin” nga Graçanica, “Dositej Obradoviq” nga Prekovci i Kamenicës dhe “Minatori” nga Novobërda.

Fotografitë u realizuan gjatë punëtorisë dyditore të fotografisë, organizuar në Novobërdë dhe Graçanicë më 16 dhe 17 dhjetor të vitit 2017, raporton Ekonomia Online.

Në dy ditët e këtij aktiviteti nxënësit kanë vizituar edhe dy lokalitete të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Kosovë: Kalanë e Novobërdës dhe Parkun Arkeologjik Ulpiana, ku njëherësh edhe janë realizuar fotografitë e ekspozuara.

Dardan Selimaj, nga Instituti “Columbus”, tha se përmes këtij aktivitetit fëmijët e komuniteteve të ndryshme kanë pasur mundësi të njihen mes tyre duke investuar në të ardhmen pa paragjykime pavarësisht të kaluarës në konflikt.

Përfaqësuesja e Ambasadës Britanike, Chablise Stoner, tha se Ambasada Britanike konsideron ndërlidhjen sociale si një pjesë kyç për pajtimin në Kosovë.

“Këto aktivitete sjellin dy mundësi shumë të rëndësishme, e para sepse lidhin të gjitha aktivitetet bashkë dhe e dyta sepse u mundëson gjeneratave të reja të mësojnë aftësitë e reja për të pasur një të ardhme më të mirë”, tha ambasadorja Stoner.

Përfaqësuesja e Iomit, Svetlana Rakic u shpreh se shpreson që aktivitete të tilla të vazhdojnë tutje.

Bledar Ajeti, një nxënës, tha se kanë kaluar shumë mirë edhe më fëmijët e komunitetit serb ndërsa ky trajnim u ka dhënë mundësi të fitojnë aftësi kreative.

“Kemi kaluar shumë mirë gjatë atyre ditëve dhe fotografi na ka treguar vazhdimisht se si t’i përdorim aparatet, efektet dhe opsionet e ndryshme në mënyrë që fotografitë të dalin sa më të mirë dhe kreative”.

Ky projekt është mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë si pjesë e programit “Promovimi i integrimit social dhe pajtimit në Kosovë” dhe është implementuar nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim – IOM në bashkëpunim me Institutin Columbus në Prishtinë.

Lexo më shumë:

Të ngjashme