Hoteli “Grand” e disa objekte të tjera në kryeqytet bëhen monumente

Prishtinë | 11 Tet 2016 | 11:25 | Nga

Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme i janë shtuar 25 asete.

Ministri i Kulturës, Kujtim Shala, të hënë ka vënë firmën në dokumentin që ia zgjat afatin e mbrojtjes ligjore pjesës më të madhe të atyre pronave që konsiderohen si asete me vlerë sa i përket trashëgimisë kulturore të Kosovës.

Po këtë ditë është marrë edhe vendimi që për herë të parë shteti të ketë monumente nën mbrojtje të përhershme.
Kjo është hera e pestë që u zgjatet afati prej një viti pronave të trashëgimisë kulturore që shteti tash i mbron vetëm përkohësisht, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në të gjitha kategoritë e mbrojtura, Lista e vitit të kaluar numëron 1 525 asete. E me Listën e re shteti mbron 1 534 prona të trashëgimisë kulturore. Nga kjo Listë janë larguar 23 monumentet që kanë kaluar nën mbrojtje të përhershme.

Lista e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme tashmë radhit edhe disa prej objekteve që kanë shënuar arkitekturën e kryeqytetit pas Luftës së Dytë Botërore.

Hoteli “Grand”, objekti i Bankës Qendrore të Kosovës, ai i Institutit Albanologjik të Prishtinës, ai i Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, Pallati i Rinisë dhe Sporteve objekti i Galerisë Kombëtare të Kosovës, Teatri Kombëtar i Kosovës dhe Rezidenca e presidentit Ibrahim Rugova janë ndër objektet që tashmë kanë hyrë në Listë.

Vendimi për përfshirjen në Listë të Rezidencës së presidentit Ibrahim Rugova ishte marrë qysh në prill të këtij viti.

 

Të ngjashme