Në Javën e Albanologjisë diskutohet për trashëgiminë e turizmin

Prishtinë | 03 Mar 2017 | 22:30 | Nga

Dega e Etnologjisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në kuadër të aktivitetit të përvitshëm “Java e Albanologjisë”, për vitin 2017, propozon për temë bosht “Trashëgimia kulturore, zhvillimi i qëndrueshëm dhe turizmi”.

Si tema orientuese janë propozuar: Historia e turizmit, Turizmi shqiptar dikur dhe sot, Trashëgimia natyrore dhe turizmi, Trashëgimia kulturore dhe turizmi (traditat: veshja, zejet, ushqimi, ndërtimtaria etj), Qëndrueshmëria, komunitetet lokale dhe turizmi, Turizmi urban, rural, malor, Festivalet dhe turizmi, Strukturat sociale dhe turizmi, Religjioni, pelegrinazhet dhe turizmi, Turizmi dhe nacionalizmi etj.

Propozimet e temave do të duhej të përfshijnë: emrin dhe mbiemrin e autorit, institucionin prej nga vjen, titullin dhe abstraktin e punimit deri në 300 fjalë. Propozimet mund të dërgohen në emailin: [email protected] deri më 15 prill.

Java e Albanologjisë do të mbahet nga data 8 deri më 12 maj. Ndërsa data e saktë për ditën e etnologjisë brenda kësaj jave ende nuk është caktuar.

Në njoftimin e Institutit thuhet se turizmi dita ditës po bëhet motiv i rëndësishëm për mobilitet të njerëzve. Kureshtja, dëshira për të njohur të panjohurën, aventura, dëfrimi e relaksimi janë pjesë përbërëse të motivimit turistik.

Duke u bërë një praktikë tejet e përhapur, ndikimi i turizmit është tashmë evident në jetën e përditshme të njerëzve, por edhe të vendeve nisur nga niveli lokal deri në atë nacional e përtej. Shumë pika, apo destinacione të caktuara nëpër botë janë shndërruar, siç thotë John Urry, në atraksion të “Tourist Gaze” ku procesohen nivele të ndryshme dhe domethënëse identifikimi e identiteti.

Si rrjedhojë, shikuar antropologjikisht, është më se e debatueshme se çka në të vërtetë është e çka servohet si “autentike” në ofertat turistike, apo çka konsiderohet si e tillë nga turistët, çka në të vërtetë kërkojnë ata. Kjo duket të jetë me shumë rëndësi për zhvillimin e të ashtuquajturit turizëm i qëndrueshëm me ç ‘rast bëhen përpjekje që të ruhet një trashëgimi dhe promovohet turizmi përmes asaj trashëgimie.

Historia e turizmit kishte filluar si udhëtim i aristokratëve në kërkim të vendeve atraktive, e cila arriti deri te përhapja masive e dëshirës për udhëtim, pra turizmit masiv. Nisur nga ky fakt, sot grupacione të ndryshme shoqërore si: mosha, gjinia, gjendja ekonomike, etj, përveç tjerash, identifikohen edhe me mënyrën e përzgjedhjes së turizmit që ata praktikojnë.

 

Të ngjashme