Jep dorëheqje drejtori i sapozgjedhur i Baletit të Kosovës

Prishtinë | 03 Kor 2019 | 12:45 | Nga Ekonomia Online

Ditë më parë balerini kosovar, Sinan Kajtazi u zgjodh ushtrues detyre i drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës.
Por, ai sot ka dhënë dorëheqje nga ky post.

Njoftimin për dorëheqjen e tij e bëri nëpërmjet një shkrimi në facebook.

Sipas Kajtazit atij i është dashur të largohet nga kjo përgjegjësi pasi që Agjencia Kundër Korrupsionit i ka kumtuar se pozita e tij paraqet konflikt interesi, ngase ai prej dy vitesh ishte Drejtor në Këshillin Drejtues të BKK-së.

Të nderuar miq,

Me keqardhje ju njoftoj që pas kërkesës sime për opinion nga Agjencia Kundër Korrupsionit, në lidhje me pozitën e Drejtorit të BKK, nga kjo agjenci më është kumtuar se sipas Ligjit Kundër Korrupsionit/neni 18, pozita ime si Drejtor i BKK do të përbënte “konflikt interesi”, meqë deri në Janar të 2019 kam qenë Kryetar i KD të BKK dhe në periudhë prej 2 vitesh pas largimit nga Këshilli Drejtues, nuk kam të drejtë të marrë këtë post.

Prandaj, ju njoftoj që sot kam dhënë dorëheqjen nga U.D i Drejtorit të BKK dhe rrjedhimisht më duhet të refuzoj emërimin si Drejtor nga Këshilli Drejtues i BKK.

Vullneti dhe dëshira ime ka qenë që të jap kontributin tim në të mirë të Institucionit të BKK, duke gëzuar mbështetjen e të gjithë balerinëve të BKK dhe stafit tekniko-artistik në TKK, po ashtu edhe komunitetit të artistëve, mirëpo duke respektuar ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës, më duhet të refuzoj nderin që më është bërë me emërimin si Drejtor nga Këshilli Drejtues i BKK.

Unë do të vazhdoj të mos kursej më të mirën nga vetja si balerin, në shërbim të BKK.

Të ngjashme