Jetojmë me iluzionin e fytyrës

Prishtinë | 29 Pri 2018 | 07:37 | Nga

Majlinda Bregasi është linguiste, shkrimtare dhe filmmaker. Është autore e librit “Përtej Debatit Politik- Analizë e Bisedës”, që është edhe studimi i parë i llojit në gjuhësinë shqiptare. Ka përkthyer në shqip studime gjenerative të shqipes të Savoias e Manzinit, botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. Ka përvojë të gjatë në gazetari dhe është autore e disa filmave dokumentarë.

Vitet e fundit ka botuar dy romane me Botimet KOHA, “Ikje” – fitues i çmimit prestigjioz dhënë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si “Romani më i mirë i vitit 2016”, dhe “Fillimi i një fundi”, roman postmodern që na kthen mbrapa në histori në fillimshekullin e shtatëmbëdhjetë.

Ajo jeton e punon mes Kosovës dhe Italisë, vendlindja e saj Shqipëria ka mbetur urë lidhëse mes këtyre dy shteteve, por edhe shtylla bazë mbi të cilën ndërtohet krijimtaria e saj

Bregasi është personazhi i kësaj jave që rrëfehet në rubrikën e përjavshme “7 Shkronjat” në “E diela e Koha Ditore”:

Bardhësia, sot ia zbulova pesëqind e gjashtëmbëdhjetë nuancat, shkruan Caramanga. Secila një emocion më vete. Secila unike. Bardhësia e dhëmbit të parë të tim biri, bardhësia e pastërtisë, e buzëqeshjes, ajo e fijeve të bardha të flokëve që lindin, bardhësia e dashurisë, e zemërmirësisë.

Bardhësia e Borëbardhës që krijoi xhelozi te njerka në psikanalizë interpretohet si konflikti mes vajzës që rritet dhe nënës që plaket e nuk e duron dot më pasqyrën. Kështu në përrallë merr rolin e njerkës së keqe. Sot flitet për sindromën e Borëbardhës, kur njerëzit nuk e pranojnë dot plakjen, e rendin pas kirurgjisë plastike deri në ekstreme.

Në përrallë Borëbardha ikën, kërkon mbrojtje nga xhuxhët e fshehur thellë në pyll (instinktet e fshehura), por që nuk ia dalin dot. Njerka e helmon me mollën e kuqe. Në versionin e vjetër të përrallës molla është gjysmë e bardhë e gjysmë e kuqe. Njerka e kafshon të bardhën, gjysmën e pastër, Borëbardha zgjedh pjesën e kuqe, simbol i dëshirave seksuale të cilat e helmojnë.

Do duhet të vijë princi, simbol i pjekurisë, që ta shpëtojë vajzën. Përralla është simbol i përkryer edhe i krizës së adoleshencës që tregon se rritja fizike nuk përkon edhe me atë të intelektit, dhe se përvojat e këqija ndonjëherë janë të domosdoshme si mësime për jetë.

Bardhësia këtu na del edhe e pastër, edhe e bukur, edhe naive. Por bardhësia është edhe sfidë, bardhësia e një letre është sfida e përditshme e një krijuesi apo studiuesi. Është ajo që po më mundon tani…

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme