Këshilli Drejtues sot vlerëson punën e drejtorit të Teatrit Kombëtar

Prishtinë | 26 Mar 2018 | 09:28 | Nga

Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës do ta shqyrtojë performancën e drejtorit të përgjithshëm të këtij institucioni, Agim Sopi.

Në mbledhjen që është planifikuar të mbahet sot (e hënë), anëtarët e organit drejtues do ta shoshitin menaxhimin që i ka bërë Sopi deri më tani TKK-së, shkruan sot “Koha Ditore”.

Pika e vetme e rendit të ditës – sipas një shkrese elektronike nëpërmjet së cilës është thirrur mbledhja – do të jetë: shqyrtimi i performancës së drejtorit të përgjithshëm Agim Sopi.

Sipas burimeve të gazetës, Këshilli është duke përmbushur hapat ligjorë për ta shkarkuar Sopin nga pozita në të cilën ishte zgjedhur në dhjetor të vitit 2015. Përplasjet midis Agim Sopit dhe Këshillit Drejtues që udhëhiqet nga regjisorja Burbuqe Berisha kanë marrë hov gjatë procesit të përcaktimit të programit të këtij viti.

Pas miratimit të programit, në janar, Sopi kishte akuzuar anëtarët e Këshillit Drejtues si njerëz të ndikuar nga politika që po censuronin programin e TKK-së. Këshilli kishte eliminuar në një fazë të pazakonshme dramën “Shfaqja e fundit e Marije Gjonit” me autor shkrimtarin e publicistin Veton Surroi.

Prej asaj kohe, Këshilli Drejtues i ka dhënë dy vërejtje Sopit. Njërën për akuzat që i ka bërë publikisht për Këshillin e tjetrën për mospjesëmarrjen e tij në mbledhjet e këtij organi drejtues.

“Ata kanë të drejtë të më shkarkojnë sipas ligjit. Por a kanë arsye?”, ka thënë Sopi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme