Klodian Valla ekspozon në GMK portretet dhe kompozicionet e tij

Prishtinë | 07 Maj 2018 | 18:52 | Nga

Në Galerinë e Ministrisë së Kulturës (GMK), më 10 maj, do të hapet ekspozita “Kur epshi kacafytet me ankthin koloristik” e piktorit Klodian Valla.

Kjo ekspozitë përmban 25 punime, të cilat dallohen me stilin e kombinuar abstrakt dhe surreal.

Meqenëse piktura për element thelbësor ka koloritin, natyrshëm dhe në mënyrë të ndjeshme edhe për Klodian Vallën, spektri me tërë ngjyrat e tij buron nga afiniteti i tij dhe nga thellësia shpirtërore.

Në këtë ekspozitë artisti sjellë ciklet e portreteve, drunjve dhe kompozicioneve. Këto vepra janë të realizuara në teknikën vaj, akrelik dhe teknikë e kombinuar në pëlhurë.

Ideja e kësaj ekspozite për autorin është që ai para publikut artdashës të shpreh në mënyrë dydimensionale botën e tij shpirtërore.

Në përgjithësi krijimtaria artistike e Klodian Vallës përbëhet nga një konstelacion prej dhjetëra ciklesh të cilat konsistojnë në qasje, inspirime dhe implementime të ndryshme, siç janë: “Rrushi”, “Kompozicione”, “Peizazhe dëbore”, “Natyra të qeta”, “Meteorët”, “Trekëndëshat”, etj.

Kjo ekspozitë financohet nga Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës, drejtohet nga Dhurata Ramosaj-Shala – koordinatore e Galerisë së Ministrisë së Kulturës, ndërkaq kurator i ekspozitës është profesori, kaligrafi, e artisti i mirënjohur, Shyqri Nimani. (Përgatiti: Liridon Shala)

Të ngjashme