Kolegji AAB promovon librin “Marrëdhëniet me Publikun”

Prishtinë | 05 Maj 2017 | 17:17 | Nga

Në Kolegjit AAB, në prani të studentëve dhe stafit akademik të Fakultetit të Komunikimit Masiv, u bë promovimi i librit “Marrëdhëniet me Publikun” i autorit Alban Tartari.

Në këtë promovim ishte i pranishëm edhe drejtori i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, i cili është nxjerrë edhe si model në këtë libër për sukseset e tij dhe ndryshimin e imazhit të operatorit Vala.

Drejtori Mustafa në fjalën e tij para studentëve tha se është rritur me një perceptim ku drejtori është i pa-qasshëm, i paarritshëm, ndërsa ai, që nga koha kur e ka marrë postin e drejtorit në Aeroport e deri më tani që është drejtor i Telekomit të Kosovës, është munduar që ta ndryshojë këtë perceptim. “Mendoj që sado pak kam arritur ta thyej apo ta ndryshoj deri në një masë të caktuar konceptin e shikimit të drejtorëve të cilët i kemi në vend. Qëllimi i im është të jem i arritshëm për të gjithë ata që kanë nevojë që të më takojnë, ku mund të bashkëbisedojmë dhe të shqyrtojmë gjëra të shumta, qoftë për Telekomin apo edhe për diçka tjetër”, u tha studentëve drejtori Mustafa.

Ai u rekomandoi studentëve të Komunikimit Masiv që ta lexojnë librin “Marrëdhëniet me Publikun” të autorit Alban Tartari, duke u thënë se nga ky libër mund të përfitojnë shumë profesionalisht për këtë fushë. Mustafa gjithashtu porositi studentët, që të jenë të kujdesshëm në paraqitjet e tyre dhe të jenë vetvetja çdoherë.

Ndërsa, autori i librit Alban Tartari tha Marrëdhëniet me Publikun janë një pjesë e pandashme e demokracisë dhe shoqërive demokratike.

Ai tha se në këtë fushë, Kosova është shumë para Shqipërisë, me arsyetimin e periudhës së regjimit kur Shqipëria ka qenë e mbyllur, ndërsa Kosova ka qenë më e hapur. Gjithashtu, Tartari u dha shumë leksione studentëve të Fakultetit të Komunikimit Masiv mbi praktikat me të mira të Marrëdhënieve me Publikun, të cilat edhe i ka përmbledhur në libër.

Në fund të këtij promovimi u zhvillua edhe një debat, ku studentët e Kolegjit AAB si dhe profesorët e këtij Kolegji parashtruan pyetje të cilave iu përgjigjën autori i librit Alban Tartari si dhe drejtori i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa.

Libri “Marrëdhëniet me Publikun” i autorit Tartari ka për fokus Marrëdhëniet Publike si në teori ashtu edhe praktikë, ku autori pos që ka përdorur literaturë nga studiuesit me eminentë botërorë të kësaj fushe, ka aplikuar edhe përvojën e vetë 10 vjeçare si dhe përvojën e shumë njerëzve të cilët kanë arritur sukseset më të mëdha në trojet shqiptare sa u përket marrëdhënieve me publikun. Libri është mjaft voluminoz, ka 15 kapituj dhe gjithsej 365 faqe.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme