Koncerti i kryeveprave kulmon me “Mag-Hyllus” për Ushtrinë e vendit

Prishtinë | 15 Jan 2019 | 08:31 | Nga Ekonomia Online

Hyrja në sallë me bileta – që së fundmi ka nisur të praktikohet nga Filarmonia e Kosovës edhe si test për sistemin me pagesë pas gjashtë muajsh – ka shërbyer që publiku të mos ia mësyjë shumë kohë përpara koncertit për të zënë vendet. Por për një koncert sikurse ai i së dielës mbrëma, edhe pritja e gjatë shpërblehet.

E njohur si një prej veprave bashkëkohore të kompozitores franceze Cecile Chaminade, “Koncertino për flaut dhe orkestër”, ka hapur koncertin e Filarmonisë së Kosovës në bashkëpunim me festivalin “Tingujt e flautit”. Nën dirigjimin e Nathalie Marrin, orkestra i ka dhënë zë veprës së shkruar më 1902.

Flautisti Bülent Evcil i është bashkuar lojës, si solist duke bërë që flauti të jetë në qendër të vëmendjes. Kjo vepër i ka hapur rrugën asaj të Wolfgang Amadeus Mozartit, “Koncert për flaut dhe orkestër në D-dur”. Pas pushimit prej dhjetë minutash, orkestra ka vazhduar me “menynë” e mbrëmjes nëpërmjet interpretimit të “Simfonisë nr. 44 në E-mol” e njohur edhe si “Trauer” të kompozitorit austriak, Joseph Haydn.

Vepra me katër kohë i ka dhënë kahe tjetër mbrëmjes koncertale duke kthyer publikun në një rrymë politike e letrare të Gjermanisë së viteve ‘70 të shekullit XVIII. Por nga lëvizja gjermane e shpërfaqur nëpërmjet një vepre, publiku shpejt ka “udhëtuar” drejt Kosovës.

Erëmira Çitaku në flaut, Shaqir Hoti në kavall, Patris Berisha në perkusione e Liburn Jupolli në piano janë katërshja e shoqëruar nga orkestra që i kanë dhënë jetë premierës së veprës “Mag-Hyllus”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme