“Koncerti për paqe” i Filarmonisë kulmon në Paris me tingujt e 1999-s

Prishtinë | 24 Maj 2019 | 10:06 | Nga Ekonomia Online

Ajo nuk është e vetmja që e ka goxha të vështirë të flasë. Madje edhe kur ia mësyrë të përmbledhë atë që e mendon, e ka tradhtuar ndjesia e akumuluar për më shumë se një orë. Pianistja e dirigjentja, Arlinda Bajollari ishte midis atyre që u janë mbushur sytë me lot gjatë koncertit e pas tij.

Kësisoj Filarmonia e Kosovës i ka bërë të ndihen shumicën e të pranishmëve, që ishin mbi 400 veta. Melodia ushtarake si intro, me të cilën kanë marshuar drejt skenës anëtarët e Korit, është një paralajmërim për luftë, transmeton Koha Ditore.

Publiku në këtë rast është bërë gati që të futet në mesin e betejave e viktimave. Kisha e ushtarëve, që është pjesë e Katedrales “Saint-Louis-des-Invalides”, duhet të jetë dëshmitare e shumë tregimeve për luftëra. Aty ushtarët besohet se kanë rrëfyer historitë e tyre nga fronte të ndryshme. Por një rrëfim i veçantë lufte është shpalosur të mërkurën në të. Ai për luftën në Kosovë.

Një gjë e tillë është bërë nëpërmjet muzikës. Nën dirigjimin e drejtorit të Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari, Orkestra e Kori të këtij institucioni kanë shpërfaqur një prej historive më të trishta të shtetit më të ri të Evropës.

Vepra bashkëkohore e kompozitorit uellsian, Karl Jenkins, “Njeriu me armë”, me nëntitull “Meshë për paqe”, nëpërmjet melodisë e këngëve korale për më shumë se një orë e ka futur publikun në një udhëtim të zymtë. Përgatitja për luftë, zhvillimi i saj e britmat e viktimave, kësaj radhe janë shndërruar në përjetim të vështirë, por duke shërbyer si një terapi për paqe.

Pohimi se pranimi i së vërtetës është hapi kryesor për të shkuar drejt një paqeje, më së miri deshifrohet nëpërmjet përjetimit të fakteve. E vepra e shkruar më 1999, e cila ishte porositur nga Muzeu Mbretëror i Armatimit në Mbretërinë e Bashkuar me rastin e festimeve të Mileniumit u ishte dedikuar viktimave të Kosovës. E bazuar në meshën katolike, të cilën Jenkins e gërsheton me burime të tjera, kryesisht me këngën folklorike të shekullit XV, “Njeriu me armë” futet thellë në tragjedi.

Imazhet e vrazhda të viktimave në Kosovë gjatë viteve 1998-1999 e kishin frymëzuar kompozitorin që të bënte një alamet vepre. Me interpretimin e Filarmonisë së Kosovës, ajo tejkalon ndjesitë e pamjeve. Muzika e kombinuar me këngë shndërrohet në një dramë emocionale, që zor kush mund t’i shmanget.

Filarmonia e Kosovës, në prezantimin e saj të parë në Paris, ka shpalosur histori prej më të dhimbshmeve që njeh njerëzimi. Ato të luftës e viktimave. I ka treguar me ndjesi të lartë, duke i paraqitur me rrëfim ndjenjash. Krejt këto i ka bërë duke kulmuar me thirrje për paqe. E në këtë rast, shteti ballkanik thërret për paqe, pak ditë pasi ka hapur një ekspozitë që dëshmon se në luftën e fundit para 20 vjetësh i janë vrarë 1.133 fëmijë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme