Kosova ia kërkon Shqipërisë xhamadanin dhe orën e Isa Boletinit

Tiranë | 31 Jan 2018 | 15:28 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Krijimi i kalendarit të përbashkët kulturor dhe thellimi i bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e kulturës, ishin temat e diskutimit të takimin e parë ndërministror mes ministrit të Kulturës së Kosovës, Kujtim Gashi, dhe homologes së tij nga Shqipëria, Mirela Kumbaro.

Ministri Gashi, me këtë rast, ka kërkuar nga ministrja shqiptare “huazimin” e disa objekteve që i përkisnin Isa Boletinit, për të qenë pjesë e ekspozitës që do të hapet më 17 Shkurt – Përvjetorin e Dhjetë të Pavarësisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

“Biseduam për gjëra shumë të rëndësishme, duke përfshirë kalendarin kulturor, pasurimin e këtij kalendari dhe përfshirjen e të gjitha institucioneve të kulturës të Shqipërisë dhe të Kosovës në aktivitetet e përbashkëta. T’i ikim praktikës që institucionet e kulturës të vijnë dhe të kenë aktivitete në Shqipëri dhe anasjelltas. Aktivitetet e kulturës të jenë të përbashkëta ndërmjet institucioneve tona”, u shpreh Gashi, në një konferencë shtypi, pas takimit në Tiranë.

“Biseduam, po ashtu, për vitin mbarëkombëtar të Skënderbeut, rreth aktiviteteve të përbashkëta që do t’i kemi gjatë këtij viti si dhe shënimin e 10-vjetorit të vitit jubilar të shpalljes të Pavarësisë të Kosovës, për çka kërkova që të kemi dhe aktivitete të përbashkëta Kosovë-Shqipëri”.

“Një kërkesë tjetër që ia adresova ministres… Ekzistojnë gjashtë objekte në Muzeun Kombëtar Shqiptar, objekte të Isa Boletinit, përfshirë xhamadanin, orën dhe disa vepra të tjera. Kërkova që këto të na sjellin përkohësisht në Kosovë. T’i kemi në ekspozitën e përhershme, të cilin jemi duke e përgatitur për ta hapur më 17 Shkurt”, tha ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Biseduam edhe për temat e ndryshme, të cilat janë me interes të kulturës për dy vendet tona. Besoj se drejtuesit e institucioneve tona do të kenë komunikim të përhershëm, në mënyrë që ne si politikë, si ministri dhe si qeveri, ta kryejmë punën tonë, financimin e këtyre aktiviteteve dhe në të njëjtën kohë edhe ndihmën teknikën”.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, tha se fokus i diskutimit me homologun e tij kosovar ishte përgatitja për kalendarin e përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë; si dhe diskutuar për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve kulturore të dy vendeve.

“Pas disa takimeve të bëra edhe në kuadër të takimeve qeveritare me të dy kryeministrat, ne organizuam një takim dypalësh zyrtarisht, për të thënë, i pari mes nesh. Ky është një takim i cili bëri përgatitjen e punës për kalendarin e përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë për vitin 2018. Por ne parashtruam edhe një sërë projektesh të përbashkëta për legjislacionin në fusha shumë të rëndësishme, siç është ai i trashëgimisë kulturore, në fushën e sponsorizimit të projekteve kulturore dhe të të drejtave të autorit, për çka ne kemi firmosur një marrëveshje bashkëpunimi”, shpjegoi Kumbaro.

“Është një ‘kantier’ shumë i madh që ne kemi ngritur sot, i cili do të detajohet padyshim nga institucionet tona, teatrot kombëtare, institutet e monumenteve të kulturës e kështu me radhë, për të mbërritur brenda muajit shkurt në një kalendar të përbashkët me aksione dhe ngjarje konkrete”, theksoi ministrja shqiptare.

Të ngjashme