Kosova në Cannes midis industrive botërore të filmit

Prishtinë | 19 Pri 2018 | 12:03 | Nga

Kosova për të shtatën herë do ta prezantojë kinematografinë e saj në tregun e një prej festivaleve më të mëdha të filmit. Por sivjet ka shanse më të mëdha që të marrë vëmendje. Në pavijonin që do të ndajë me Shqipërinë, do të bëhet pjesë e festivalit prestigjioz në Cannes.

Shtetet shqiptare do të jenë afër shteteve të Evropës Juglindore, Republikës Çeke, Sllovakisë, Amerikës, Gjermanisë e të tjera.

Festivali prestigjioz, i cili tubon emra të mëdhenj të kinematografisë botërore mbahet prej 8 deri më 17 maj.

“Qendra Kinematografike e Kosovës do të jetë përsëri e pranishme në ‘Marche Du Film’, tregun e madh të festivalit ‘Cannes Film Festival’. Edhe këtë vit QKK-ja do të ndajë pavijonin me QKK-në e Shqipërisë dhe risia e këtij viti është që ka ndryshuar lokacioni i pavijonit dhe do të jemi në një hapësirë shumë praktike dhe pranë shteteve me industri më të zhvilluar të filmit”, ka thënë Vesa Qena, përgjegjëse për komunikim me publikun në Qendrën Kinematografike të Kosovës.

Disa nga filmat që janë pjesë e katalogut dhe që do të promovohen në Cannes janë, “Fusha e Mëllenjave”, “Qiej të trazuar”, “Aga”, “Cold November”, “Gjumë dhe dashuri”, “Një tregim Prishtine”, “Klithma”, “Ajo”, “Drita”, “Gardhi” e të tjerë.

Filmi kosovar do të ketë edhe një përfaqësim tjetër në Cannes. Është filmi “Rreze” i regjisores së re kosovare, Lorena Sopi, që do të jepet premierë në “Short Film Corner” në kuadër të këtij festivali.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme