Kujtesë: Adios Burbuqe Buqe Berisha!

Prishtinë | 27 Tet 2021 | 16:41 | Nga Halil Matoshi

1.
Mendoj se boll kam fjetë.
I jap hez me u çue edhe sot…
Dhe, para se me qitë kafen më vjen idht lajmi se u shue Burbuqe Buqe Berisha, regjisorja dhe profesoresha, njeriu i mirë i Kosovës.
E kam njohtë Buqen, si artiste dhe kolege, profesoreshë në Kolegj.

2.
Kam pasë nji lidhje të hershme me lojën, Teatrin.
Si nxanës në fillore, më 1975 në shkollën e Tygjecit kam ushtru muej të tanë për shfaqjen recital “Herojt e Vigut” që kurrë s’u mlodh publik me e pa!?
Kurrë s’e di pse kurrë nuk u shfaq.
Luenim për vete në nji katund në fund të botës i cili, sot thuejse âsht shue.
Mas 30-vjetësh kam qenë në Këshillin drejtues të Teatrit Kombëtar me propozimin e Kujtim Shalës, atëherë Ministër Kulture. E kam lakmue me luejt. Porse të gjithë më njihnin për njeri të shkrimit.
Askush s’ma dha shansin me luejt!?
Askujt as që i kam kërku diçka të tillë.
Destin. Nuk âsht kânë e shkrueme, po get…

3.
Buqen regjisore, e njoh qe njizet vjet.
E përkushtueme në art dhe njeri i mirë.
Me Burbuqe Berishën, profesoreshë m’ka ra me punu në Kolegjin AAB, pra ishim edhe kolegë.
Ishte pro-dekane kur unë ligjerojsha Etikën e medias, në degë të gazetarisë dhe në Produksion.
Fjalëpak por uragan nga brenda, Buqja kishte shumë andrra.
Edhe pse me probleme shëndeti, kurrë nuk iu hoq buzëqeshja nga fytyra.
M’pat shku mendja me i thânë: Due me luejt në ndoni shfaqje tanden!?
E shtyjsha për ma vonë, sepse ngushtohesha p’ej saj edhe pse ishte ma e re!
I vetëdijshëm që nuk di me luejt, sepse çdo gjâ e marr vdekshëm serioz.
Vetëm vdekja âsht lojë serioze.
Investimi i shpirtit, transformimi i pozitës së trupit, zânit dhe dokës, âsht investim total.
E pakontestueshme, qysh thojke Danilo Kish.
Buqja e la t’bâmunit e lojës dhe u shndrru në fjalë.
Kujtesë.
Unë shkruej.

4.
Jam tutë me i kërku Buqes me lujtë në shfaqjet ose filmat e saj (trema âsht si rreng që i përcjell artistët si hije, nji jetë të tanë) që m’thot, shmangu nga loja, se nuk ke talent!?
Ka me m’lutë me m’përfshi në shfaqjet e saj, sepse nji ditë kur të takohemi diku, përtej qeniesimit – në hiç – në ndonji realitet paralel, regjisores bân vaki që kanë me iu dashtë lojtarë…!???
E unë i idhnuet pse ajo e shpërfilli talentin tim për lojë, kam me refuzue!?
Talent që ndoshta nuk e pata kurrë, prandej Buqja nuk pati pse ta shpërfillte, sepse lojën e merrja seriozisht, si fëmijë…

5.
Fatumi âsht regjisori ma i egër që na nxjerr në skenë jete, tue mos na dhanë kurrë nji rol që e andrrojmë…
Na jepen veç role që s’i dojmë, nga kushedi ç’forca t’padokshme, t’errëta…!?

6.
Loja mbaroi.
Nji gjeth me ngjyra vjeshte e valëvit era matanë dritares…
Dhe bie përdhé.
Ramja âsht përgjumje. Humbje e gravitetit…
Gjumi âsht karikatura e dekës, thojnë filozofët.


Pusho e qetë artiste, në paqen e pasosun. Çdo gjâ âsht lojë!
Vetëm se deka âsht ma seriozja ndër to.
Loja e mbramë!

  • The End –

Të ngjashme