Kultura, katalizator në strategjitë zhvillimore të qyteteve

Prishtinë | 27 Dhj 2016 | 16:37 | Nga

Sot u mbajt paneli për ndikimin e festivaleve në zhvillimin e qytetit nga Anibar me mbështetje të Associazione
Trentino con i Balcani – ATB.

Kultura është vlerësuar si aset për Agjendën Urbane, ajo qëndron në bërthamë të politikave urbane dhe
sfidave shoqërore, dhe është katalizator në strategjitë zhvillimore të qyteteve. Ajo kontribuon në shfaqjen
atraktive dhe ngritjen e ofertës urbane. E kjo ofertë dizajnohet duke pas parasysh ngritjen e mirëqenies së
banorëve, shndërrimit e një qyteti në të jetueshëm si dhe pasurimin e vetëdijes shoqërore përmes edukimit
kulturor.

Në këtë mes rol shumë të rëndësishëm luajnë festivalet, qofshin ato të filmit, muzikës, tradicionale, apo edhe
më gjenerale, me ndikim lokal apo edhe ndërkombëtar. Ato e kanë vërtetuar vetën se mund të jenë një
katalizator i ndryshimeve ekonomike për atë kohë sa ndodhin, mirëpo gjithashtu prezantojnë një katalizator të ngritjes së
mirëqenies së qytetarit, e përmirësimin e imazhit të një vendi.

Shpeshherë debati qëndron në atë se investimi i parasë publike në festival a duhet të bëhet për të pas efekt të
menjëhershëm ekonomik, apo të organizohet për vlerat kualitative të cilat i sjellë, apo ndoshta edhe të dyjat. E
për të diskutu rreth kësaj teme Anibar ka ftuar organizatat që të marrin pjesë në panelin ku është folur për
ndikimin e festivaleve në qytetet ku mbahen.

Paneli filloi me prezantimet e tre panelistëve; Engelbert Zefaj drejtor i DKRS Pejë, Elbert Krasniqi, drejtor i ATB
për Kosovë, dhe Vullnet Sanaja drejtor i Anibar.

“Në qytetin e Pejës organizohen 12 festivale, të gjitha këto kanë mbështetjen e plotë të Komunës, në bazë të
mundësive të cilat Komuna i posedon, qoftë kjo mbështetje financiare, logjistike, apo edhe në resurse
njerëzore” – theksoi Zefaj. “Qka kish mujt me përmirësu ma shumë ndikimin e tyre, është bashkpunimi i këtyre
festivaleve mes veti dhe me institucionet e edukimit për të rrit edhe ndikimin tek gjeneratat e reja, si dhe me i
përdor kapacitetet e krijuara” shtoi Zefaj.

Ndërkaq, Elbert Krasniqi, tregoi para të pranishmive që “ATB është një organizatë e cila gjatë këtyre viteve ka
mbështetur nismat e të rinjëve, këtu edhe ka gjetë mbështetje Anibar, ose iniciativat të cilat i kontribuojn
zhvillimit ekonomik, prandaj në rastin e ATB mbështetje do tu jipen këtyre iniciativave, dhe ky panel shpresojm
të mund të ndikoj në zhvillimin të mëtutjeshëm të këtyre festivaleve për të ndikuar në rritjen dhe zhvillimin
ekonomik në qytetin e Pejës”.

Në mes tjerash në panel është thënë se “Komuna e Pejës momentalisht ka 4,7 m2 hapësirë publike për kokë
banori, e që deri në vitin 2025 do të ketë 11 m2 hapësirë publike për kokë banori, prandaj aktivitetet kulturore,
do të jenë të mirëseardhura për tu zhvilluar edhe më shumë në hapësirat publike duke i kontribuar në këtë
formë edhe aktivizimit të hapësirave publike, po edhe mirëqenies së qytetarit” tha Modest Gashi, nga Drejtoria
për Urbanizëm në Komunën e Pejës.

Ndërsa Blerta Begolli nga zyra e turizmit tha që “gjatë kohës sa është organizuar festivali Anibar këtë vit, është
rritur ndjeshëm numri i turistëve dhe të interesuarve për ofertën turistike në qytetin e Pejës”.

Nga Drejtori i Drejtoratit për Kulturë Rini dhe Sport, Engelbert Zefaj, u pohua se përfituesit më të mëdhenjë
ekonomikisht gjatë periudhes së festivaleve janë ndermarrjet e vogla si restorantet dhe kafiteritë, dhe
ndërmarrjet e mesme sikur hotelet. Gjithashtu, për shkak të efektit pozitiv që kohëve të fundit po kanë festivalet
në Kosovë, Zefaj pohoi se Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit ka premtuar ngritje të financimit të këtyre
festivaleve për vitin 2017. Për shkak që Peja ka 12 festivale të regjistruara, pjesa më e madhe e aktivitetit
kulturor në qytet vjen nga organizimi i këtyre festivaleve.

Ndër tjerash Vullnet Sanaja tha se “Edhepse festivalet prezantojnë një ngritje ekonomike të pa
kundërshtueshme shpesh herë kjo rritje nuk matet saktë ose metodat që shfrytëzohen nuk janë objektivisht të
realizueshme, dhe përdoren nga ata që i bëjnë, për të arsyetuar shpenzimet publike te institucionit edhe të
pavarur. Shumica e festivaleve dhe ngjarjeve kulturore të përvjetshme vazhdojnë të mbahen në qytetet ku
mbahen për shkak të ngritjes dhe përmirësimit të profilit të një qyteti, e cila ndikon në prurjet e investimeve,
zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit, si dhe ngritjen e mirëqenies së banorëve të këtyre qyteteve duke sjell
aktivitete artistike kualitative në jetën e tyre.”

Ky panel organizohet nga Anibar dhe mbështet nga ATB Onlus si pjesë e përpjekjeve për ngritjen e debatit
mbi ndikimin e festivalit në qytet.

dsc_1022

dsc_1006

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme