Kur them grua, them emrin tim

Prishtinë | 18 Kor 2016 | 16:00 | Nga

“Mjeshtre e projeksionit të pasioneve të pafundme për t’i kuptuar vlerat e lirisë njerëzore, lirinë për të dashur, lirinë e thellë të ekzistencës..” shkruan shkrimtarja belge Bernadette Herman për poezitë e autores Ilire Zajmi.

Përmes vargjeve të saj magjike ndien një ndjenjë sublime dhe të shijshme si mjalti e një mali. Një imazh që, në të gjitha dimensionet e mundshme, duhet të pajtohet me vetveten.

Ajo grish lexuesin për të kuptuar vlerat e lirisë njerëzore, lirinë për të dashur, lirinë e thellë të ekzistencës dhe të pasioneve të skutave më të thella të shpirtit, shkruan Herman.

Ndërsa shkrimtarja franceze Adeline Yzac thotë se te poezitë e Ilires zëri shtrihet, vargjet flasin vetë. Flet vetmia, dyshimi, brishtësia, pritjet”.

“Në poezitë e saj ka etje, dëshirë, dashuri, frikë njerëzore. Kur lexon poezitë e saj doemos të kujtohet Virginia Woolf. Kur them grua, them emrin tim, Ilire Zajmi” vlerëson Yzac.

“Ndjeshmëria e dukshme e shprehjes poetike të Ilire Zajmit është në të vërtetë kulminacioni i forcës së saj të brendshme. Në poezinë e saj spikat një vëmendje e vazhdueshme dhe një dashuri e thellë për jetën dhe njerëzimin – pavarësisht nga iluzionet dhe zhgënjimet që e kanë shënuar rrugën e ekzistencës. Këtu buron fuqia që mund dhimbjen, duke u transformuar në një gjuhë të ëmbël e imediate poetike, që flet me ata që kanë zemër dhe zgjuarsi. Fjala është një pasqyrë në të cilën mund të lexohet teatri i madh i botës, sikur të ishte një teatër i së vërtetës, pa maska”- është shprehur poeti italian Giuseppe Napolitano.

Për poezinë e Ilire Zajmit kanë shkruar edhe Edi Shukriu e Anila Xhekaliu.

“Vargjet e Ilires në dukje janë të qeta dhe u ngjasojnë një lundrimi liqeni ku përmes çasteve të zëna reflektohet deti i trazuar i jetës që e jetuam, e jetojmë dhe të njerëzores që e mëtojmë.

Në poezitë e saj Ilirja provon që t’i bëhet digë paragjykimeve gjinore dhe të ridëshmojë se poeti është poet dhe se fjala nuk ka dallim gjinie” – thotë shkrimtarja e arkeologia Edi Shukriu.

“Peizazhi poetik i Ilire Zajmit tek ‘Valsi i mesnatës’ është i tejpasur. Idhujt e saj e shoqërojnë në kuvendimet e brendshme, zëri i saj shkrihet me zërat e Safosë, Nefertitit, Musine Kokalarit, formëson të sotmen, të përditshmen, një aureolë të plotë ndijimesh. Tablotë janë si lule të dhimbjes të botës së femrës. Një poezi hera-herë e fortë, që stigmatizon, por që josh e shëron”- shkruan shkrimtarja e përkthyesja Anila Xhekaliu.

Këto janë disa nga vlerësimet për poezinë e Ilire Zajmit, të paraqitura në vëllimin poetik “Valsi i mesnatës”, të botuar nga shtëpia botuese “Buzuku” e Prishtinës.

“Valsi” edhe pse i ndarë në ciklet si “Fundi i pafund”, “Prani e munguar”, “Vaktet e dashurisë” dhe “Fundi i fillimit” vjen si një poemë.

Libri hapet me poezinë “Këshilla vetes” dhe mbyllet me poezinë “Fundi”.

Para çdo cikli në libër janë përfshirë citate të ikonave të grave shkrimtare, të shquara në kohë e vende të ndryshme si: Nefertiti, Safo, Musine Kokalari, Emily Dickinson, Alda Merini, Ana Ahmatova, Maya Angelou, Erica Jong, Katherine Mansfield, Antonia Pozzi, Oriana Fallaci.

Citatet e përzgjedhura gërshetohen mrekullisht me poezitë e “Valsit”. Te disa poezi madje autorja kuvendon me këto autore të përmendura më sipër. Te poezia “Këshilla vetes” autorja këshillon veten: “Kujdesu fort-fort për unin tënd Musine e lufto deri në fund për gjërat që do”.

Ndërsa te poezia “Fjalët” ajo pyet Antonia Pozzi, a ishte fjala e para?”.

Te poezia “Një dhomë për vete” dialogu zhvillohet me të famshmen Virgjinia Uolf. Dialogë të tilla e kuvendim me shkrimtaret e tjera, autorja kultivon edhe te poezitë e tjera të librit “Valsi i mesnatës”.

Temat që trajton janë universale. Temat e përbotshme si dashuria, jeta e vdekja, por edhe absurditeti ekzistencial karakterizojnë poezitë e Zajmit në tërësi.

Valsi është përmbledhja e tretë me poezi e Ilire Zajmit, e botuar në gjuhën shqipe. Në libër janë përfshirë edhe poezi të mëhershme nga librat e botuar në shqip e në gjuhë të huaja.

Përndryshe, në shqip “Valsi i mesnatës” i Ilire Zajmit vjen 15 vjet pas botimeve në gjuhë të huaja. Poezitë e Zajmit janë botuar me sukses në disa gjuhë të huaja. “Amnesia” është botuar në Portugali, “C’est la fin” është botuar në Francë, është prezantuar në shumë revista ndërkombëtare e festivale të letërsisë, si dhe në antologji të përzgjedhura nga autorë të ndryshëm.

Përveç poezisë, Ilire Zajmi ka sprovuar veten edhe në prozë e publicistikë.

“Un treno per Blace” është botuar në Itali, ( ‘Një tren për Bllacë’, botuar edhe në shqip), ndërsa në prozë ka botuar “Fashitja e ëndrrave rebele” dhe “Era”. Pa harruar të përmendet këtu edhe librin studimor në fushën e gazetarisë “Pamjet televizive dhe realiteti”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme