“Light My Fire” me vajzën kosovare, mafinë dhe komandantin e UÇK-së

Prishtinë | 10 Sht 2019 | 13:06 | Nga Ekonomia Online

Jessica Ruben, autorja amerikane, e cila është në mesin e 40 shkrimtarëve më të shitur në “Amazon”, e që jeton e punon në New York, së shpejti do të publikojë romanin e saj të ri fiktiv, “Light My Fire”. Lufta në Kosovë, UÇK-ja, mafia shqiptare e dashuria, janë disa nga elementet që autorja Ruben ka vendosur në romancën e saj të re. Libri, të cilin ka nisur ta shkruajë vitin e kaluar, pritet që të dalë në shitje më 1 tetor.

Ajo ka thënë se beson që libri i saj do të ketë suksese, pasi që, sipas saj, lexuesit çdoherë e mirëpresin faktin që brenda librit është një hero. “Veçanërisht një mafioz që është po ashtu hero”, ka thënë ajo. Mirëpo, sipas saj, lexuesit po ashtu kanë mundësi që të marrin një pamje të shkurtër për luftën e fundit në Kosovë, shkruan sot Koha Ditore.

“Mendoj se të shkruarit për mafinë shqiptare është e rëndësishme për lexuesit për dy fakte: në libër japim një perspektivë historike për luftën gjatë viteve ’90, mirëpo edhe një romancë”, ka thënë ajo. Sipas saj, mafia shqiptare në librin e saj ka fuqinë, paratë, dhe pushtetin, mirëpo pyetja që ajo nxit është se a mund të pranojë diçka të tillë një grua.

Siç ka treguar autorja, libri fillon me jetën e një vajze të re që jeton në Kosovë gjatë luftës. Ajo ia del mbanë që të largohet nga Kosova për në Amerikë me ndihmën e Nikos.

“Ai është një nga komandantët në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Vajza e cila e ka dashur Nikon pasi që largohet nga Kosova për në Shqipëri e pastaj në Amerikë, ndërpret çdo kontakt me komandantin, i cili mbetet prapa”, ka thënë ajo. Ruben ka treguar se vite më vonë ajo është duke u munduar që të bëjë një jetë normale në Amerikë, të ndjekë kolegjin edhe pse shpeshherë ndihet se nuk po përshtatet me shoqërinë përreth. Por, siç ka thënë autorja, në të njëjtën kohë, në jetën e saj rikthehet Niko, njeriu që e shpëtoi e që tani është shefi i mafisë shqiptare.

Të ngjashme