“Loro” për liderin kontrovers dhe njerëzit që e duan

Prishtinë | 06 Tet 2019 | 22:14 | Nga Ekonomia Online

Edhe para se të shfaqet në ekran, rreth njëzet minuta pasi që fillon filmi, Silvio Berlusconi është qendra e vëmendjes. Fytyra e tij shihet në tatuazhin që një grua ka vizatuar në shpinë dhe për të flitet vazhdimisht, ani pse nuk i përmendet emri.

Kur njerëzit thonë “ai”, mundësitë janë që ata e kanë fjalën për të dhe për të hequr ndonjë dilemë, ata e dyfishojnë përemrin mashkullor.

Kryeministri i Italisë për pjesën më të madhe të viteve nëntëdhjetë dhe fillimit të viteve 2000 (aktualisht anëtar i Parlamentit Evropian) është burrë në katror: ai është “ai ai”.

“Loro” do të thotë “ata” në italishte dhe me këtë nënkuptojmë të gjithë në Itali që nuk janë Silvio Berlusconi. Apo, më qartë, “loro” janë lajkatarët, shoqëruesit dhe gratë që tërhiqen pas personalitetit të tij. Ai personalitet – një përzierje e trazuar e kotësisë, mizorisë, hedonizmit dhe sharmit – paraqet enigmën qendrore të filmit.

Berlusconi, rolin e të cilit e luan Toni Servillo, dominon mbi secilin në film, me mësymjen e tij energjike për pushtet dhe kënaqësi. Regjisori i filmit, Paolo Sorrentino, duket se edhe vetë i është dorëzuar të ashtuquajturit “presidente” dhe karizmës së tij karakteristike.

Tonet satirike dhe skeptike në këtë simfoni pasioni dhe korrupsioni bëhen pothuajse të pavërejtshme pas një kohe. Duke u munduar që të gjejë se çfarë e ka bërë këtë njeri të parezistueshëm, Sorrentino e mposht atë pikë rezistence që mund ta ketë pasur. Berlusconi është epshor, vulgar dhe i pasinqertë, por disi nuk ke se si të mos e duash..

Të ngjashme