Lucy Liu pjesë e kastës së aktorëve të filmit “Shazam! Fury Of The Gods”

Prishtinë | 14 Pri 2021 | 11:46 | Nga Ekonomia Online

Lucy Liu ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi dhe është bërë pjesë e kastës së aktorëve të filmit të ardhshëm, “Shazam! Fury Of The Gods”.

Sipas portalit “Deadline”, në vazhdimin e shumëpritur të filmit të vitit 2019, “Shazam”, Liu do ta luajë rolin e personazhit të ligë Kalypso.

Ylli britanik 75-vjeçar, Helen Mirren, po ashtu i është bashkuar kastës së aktorëve të këtij filmi, ku do ta luajë rolin e personazhit të ligë Hespera e cila në përshkrimin zyrtarë të filmit prezantohet si vajza e Atlasit.

Edhe aktorja Rachel Zegler e ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj në këtë projekt, derisa nuk dihet saktë se çfarë roli do ta luaj.

David F. Sandberg rikthehet në rolin e regjisorit të vazhdimit të dytë të këtij filmi, skenarin e së cilit e ka shkruar Henry Gayde.

Aktori Zachary Levi e portretizon rolin kryesor, Shazam, i cili në të vërtetë është një djalë tinejxher i quajtur Billy Batson e i cili në filmin me buxhet të lartë portretizohet nga Asher Angel. Billy mund të transformohet në superhero të rritur duke e shfrytëzuar fjalën magjike “Shazam”. Fjala është akronim i perëndive dhe figurave historike të botës antike: Solomon, Hercules, Atlas, Zeus, Achilles dhe Mercury.

Aktorja Lucy Liu shquhet për role në filma të njohur hollywoodian, si “Charlie’s Angels”, “Kill Bill” , “Set It Up”, “Domino” dhe shumë të tjerë, ndërsa së fundmi është angazhuar më shumë në projekte televizive, si serialet “Elementary” dhe “Why Women Kill”.

Filmi “Shazam: Fury of the Gods” pritet të fillojë së shfaquri nëpër kinema në nëntor të vitit 2022, tri vjet pas filmit të parë të publikuar më 2019 me ç’rast mori vlerësime të larta nga kritikët dhe adhuruesit e filmit.

Të ngjashme