“Metal United World Wide” ringjall skenën e muzikës rock

Prishtinë | 07 Maj 2018 | 09:50 | Nga

Dritat e reflektorëve ngatërroheshin me vetëtimat që shiheshin përtej skenës. Murmurimat shpesh shërbenin si “zbukurim” i tingujve të errët të metalit. E rrebeshi i shiut nuk i ndali dhjetëra të rinj që të kërcejnë para skenës.

Gjatë mbrëmjes iu bashkuan edhe të tjerë. Amfiteatri i Gërmisë, me gjithë motin me shi, mblodhi 1 mijë e 500 veta, shkruan sot “Koha Ditore”. Skena e rregulluar mirë mirëpriti pesë bende kosovare të muzikës rock. U bënë bashkë në koncertin e titulluar “Metal United World Wide”.

Ky është një projekt që bën bashkë bendet e metalit dhe mbështetës të tyre në një vend. Ideja është që të organizohen koncerte të metalit në mbarë botën, në të njëjtën datë, duke u identifikuar nga i njëjti baner. Data 5 e muajit maj tash e disa vjet në shumë vende të botës shënohet me muzikë metal.

Këtë vit pjesë e kësaj ngjarjeje janë bërë 43 shtete, me gjithsej 64 qytete pjesëmarrëse. Ndërsa në mbarë botën në këto skena u ngjitën fiks 421 bende. Edhe Prishtina iu bashkua për herë të parë kësaj ngjarjeje. Me këtë rast u dëshmua interesimi i të rinjve kosovarë për muzikën rock në përgjithësi. Për shumë kë kjo mbrëmje shërbeu si ringjalle e këtij zhanri muzikor.

Koncerti ishte paraparë që të fillonte në orën 20:00, por për shkak të shiut të madh u shty për një orë më vonë. Publiku, i ulur nën strehën e amfiteatrit me brohoritma e atmosferë bënte thirrje që nata të fillonte. E ashtu ndodhi, kur në skenë u ngjit bendi i parë, “Sotap”. Etrit Haxhiu në vokal, bashkë me Philipp Smaller në bateri dhe Robert Shalën në kitarë dhe bas, sollën katër këngë të tyre. “Sotap” është një bend i ri i cili bën muzikë që ndryshe njihet edhe si “Heavy Stoner Rock”.

Krejt kjo ngjarje, sipas një prej organizatorëve, Artan Balaj, ka shkuar ashtu siç është planifikuar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme